Bumi i banesave

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 19:32

Bumi i banesave

Hovin e madh jo vetëm të ndërtimit në periudhën e kaluar, por edhe të blerjes së apartamenteve të reja e mbështesin edhe të dhënat e Bankës Popullore sipas të cilave gati është dyfishuar niveli i kredive banesore në katër vitet e kaluara

Nuk ka të ndalur as shitblerja, por as interesimi për ndërtimin e objekteve të banimit në kryeqendrën e Maqedonisë por as në qytetet e tjera, vlerësojnë njohësit e tregut të patundshmërive në vend. Hovin e madh jo vetëm të ndërtimit periudhën e kaluar, por edhe të blerjes së apartamenteve të reja e mbështesin edhe të dhënat e Bankës Popullore sipas të cilave gati është dyfishuar niveli i kredive banesore nga 53.183 milionë denarë në prill 2020 në 86.371 milionë denarë në muajin prill të këtij viti. Me fjalë tjera është rritur kreditimi banesor për katër vite nga afër 864 milionë euro në afër një miliardë e 350 milionë euro.Njohësit e kësaj lëmie vlerësojnë se banesat janë një model investimi i pozicionuar dhe i preferuar, me mbështetje nga bankat si për investitorët ashtu edhe për blerësit. Njëherësh në ndërtimin e banesave oferta e ka ndjekur këtë kërkesë, ndërsa përderisa funksionon balanci, kemi një treg të qëndrueshëm në vend.

Katarina Nikollov, drejtoreshë ekzekutive e “Fortonmka”, thekson se jemi dëshmitarë të një rritje shumë intensive të ndërtimit të banesave në 20 vitet e fundit në Shkup. Andaj shpesh shtrohet pyetja nëse ka vend apo hapësirë për më shumë apartamente. Megjithatë shton ajo tregu e bën kërkesën.

“Për sa kohë që kjo kërkesë funksionon, atëherë investitorët kanë motivimin për të vazhduar me realizimin e asaj që kishin parashikuar. Pra ekziston interesim ti madh ku ndërtesat e banimit janë të parat, sepse janë lloji më i afërt i investimit. Kjo edhe për shkak se kthimi i investimit është më i lehtë për t’u planifikuar”, shton Nikollova. Sipas saj, sidomos në të ardhmen, di të dallohen projektet e të mirëmenduara, të cilat përveç asaj që ofrojnë, kanë numër të mjaftueshëm të parkingjeve, kanë infrastrukturë adekuate….

Për stabilitetin e tregut të patundshmërive në vend dhe shitblerjes së pronave flasin edhe të dhënat e Kadastrës ku mbi 900 milionë euro janë qarkulluar në vitin e kaluar në pasuri të paluajtshme ku kryesisht u blenë apartamente, por edhe shtëpitë nuk mbeten prapa. Me fjalë tjera vlera e shitjeve të regjistruara të pasurive të paluajtshme në vitin 2023 është 910 milionë euro. Sipas llojit të pasurive të paluajtshme, vitin e kaluar janë shitur 7518 banesa me vlerë 431 milionë euro, 2810 shtëpi me vlerë 148 milionë euro, 1005 lokale afariste me vlerë 139 milionë euro.

Gjithashtu në vitet e kaluara janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e banesave. Nga sektori i ndërtimtarisë thonë se si kudo në botë, edhe në vendin tonë, çmimi i apartamenteve për metër katror është një kategori tregu dhe varet nga marrëdhënia midis ofertës dhe kërkesës, por tashmë si tregues ndikojnë edhe vendndodhja, cilësia e ndërtimit dhe gjendja ekonomike në të cilën ndodhet shteti si dhe inflacioni, diferenca ndërmjet ofertës dhe kërkesës, shtrenjtimi i komunaleve dhe kostot e ndërtimit…..

Gama e madhe e diferencës së çmimeve siç është në gjendjen aktuale në Shkup, lirisht mund të përmend se çmimet për metër katror variojnë nga 1.000 deri në 2.500 euro, varësisht nga vendndodhja, gjegjësisht në cilën komunë gjendet patundshmëria dhe sa aktivitet transaksioni ka ajo komunë, thotë Andreja Serafimovski nga Oda ekonomike e Maqedonisë.

“Njëherësh përskaj kërkesës apo lokacionit edhe kostot e rritura të kompanive dhe çmimet e materialeve të ndërtimit pas krizës së Covid-it, por edhe ekskluziviteti i ndërtimit, si dhe kushtet e jetesës që ofrohen në atë godinë banimi ndikojnë në çmimet. Disa kompani vendosin standarde shtesë në projektet e ndërtimit, që dikton vlerat maksimale të çmimeve”, shpjegon Serafimovski.

Vlerësohet se kërkesa për banesa është e qëndrueshme, ndërsa e çmimi i kostove të inputeve nuk është në rënie. Pra, pritet një stabilizim të çmimeve të banesave në fund të vitit dhe në fillim të vitit të ardhshëm, por ky stabilizim do të nënkuptonte një çmim 30 deri në 40 për qind më të larta se çmimi para pandemisë, në varësi të aktivitetit të transaksioneve në komunat ku. banesa ndodhet.

Ndryshe, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e parë të këtij viti janë dhënë 974 leje për ndërtimin e objekteve të banimit me gjithsej 2579 banesa, përqindja më e madhe e të cilave është në kryeqytet. Të dhënat tregojnë se në muajin mars në vend janë ndërtuar 1013 banesa, prej të cilave më shumë se gjysma, gjegjësisht 607 banesa janë në Shkup. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 19:32