A do të ketë shumicë për ministritë e reja?

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 21:30

A do të ketë shumicë për ministritë e reja?

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, si dhe partnerët e tyre të koalicionit “VLEN” shpresojnë të marrin mbështetje për formimin e ministrive të reja dhe transformimin e ministrive ekzistuese, në pritje të caktimit të mandatit për formimin të qeverisë së re

Përbërja e re parlamentare është përballë sfidës së parë – nëse do të sigurohet një shumicë prej dy të tretash për miratimin e ndryshimeve ligjore që do të mundësojnë riorganizimin e ministrive. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, si dhe partnerët e tyre të koalicionit “VLEN” shpresojnë të marrin mbështetje për formimin e ministrive të reja dhe transformimin e ministrive ekzistuese, në pritje të caktimit të mandatit për formimin të qeverisë së re. “Është një premtim parazgjedhor që ua kemi dhënë qytetarëve. Aktualisht jemi duke punuar në Ligjin për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, gjegjësisht ristrukturimin e ministrive të caktuara dhe pres që të marrim mbështetjen e 80 deputetëve që të funksionojë ajo që kërkohet nga qytetarët”, tha koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski pas koordinimit të parë zyrtar të kryeparlamentarit Afrim Gashi me përfaqësuesit e partive.

Këto ditë pritet të dorëzohet edhe një zgjidhje ligjore. Sipas Micevskit, për momentin prioritet është që të formohen komisionet, përkatësisht trupat punues, në mënyrë që të gjitha këto ligje të kalojnë nëpër komisionet përkatëse. “Për momentin kemi krijuar vetëm Komisionin Verifikues dhe Komisionin e Emërimeve dhe Zgjedhjeve. Duhen edhe të tjerat – Komisioni i Sistemit Politik, Komisioni Ligjvënës dhe Juridik dhe komisionet tjera që u diskutuan në koordinimin e sotëm fillestar. Pres që me kolegët koordinator të gjejmë mirëkuptim se cilit komision, cilit grup parlamentar duhet t’i takojë që Parlamenti të jetë plotësisht funksional”, tha Micevski.

NEVOJITET EDHE MBËSHTETJA E OPOZITËS

Kurse deputeti i Koalicionit “VLEN”, Halil Snopçe, thotë se përkrahin dhe presin që edhe deputetët e tjerë të mbështesin ndryshimet në ligjet e sistemit për të mundësuar formimin e ministrive të reja dhe transformimin e ministrive ekzistuese. “Për një shumicë prej dy të tretash sigurisht që na duhet mbështetja e deputetëve të opozitës. Nuk mund të kalojnë pa një mbështetje të tillë,” thotë Snopce.

Mickoski programi zgjedhor i VMRO-DPMNE-së me titull “Platforma 1198” paralajmëroi hapjen e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, planifikohet që Agjencia aktuale për Rini dhe Sport të shndërrohet në Ministri të Sportit, ndërsa sektori i rinisë do të hyjë në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Resori i Punës duhet të hyjë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës dhe turizmi të shkëputet prej andej dhe të jetë pjesë e Ministrisë së Kulturës. Ministria e Teknologjisë së Informacionit dhe Administratës do të jetë një ministri për transformimin dixhital dhe numri i institucioneve publike duhet të reduktohet me 10%.

Deputeti i Koalicionit “Fronti Europian”, Blerim Bexheti, në një prononcim për media në Parlament, ka theksuar se ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me riorganizimin e ministrive nuk kanë arritur ende tek ata dhe thekson se do të japin qëndrim konkret pas i shohin dhe i konsiderojnë ato. Një qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski. Ai thotë se nuk mund t’i jepet mbështetje të “padukshmes”.

PËRPLASJE PARTIAKE

Por së pari duhet të formohen trupat punues nëpër të cilat duhet të kalojnë këto vendime ligjore, përkatësisht komisionet parlamentare – Komisioni i Sistemit Politik dhe Komisioni Ligjvënës dhe Juridik. Snopçe thotë se gjatë koordinimit ka pasur argumente se a duhet të formohen ndaras dy komisionet e nevojshme parlamentare, prandaj mendon se duhet një koordinim më i madh nga ana e partive politike. “Afatet tashmë po mbarojnë. Prandaj duhet të formohen sa më shpejt këto dy komisione – Komisioni Politik dhe Komisioni Ligjvënës, që ta procedojmë ligjin në Parlament”, tha ai. Snopçe nuk sheh arsye pse këto ndryshime ligjore të mos përkrahen nga partitë opozitare LSDM dhe Koalicioni “Fronti Evropian”.

Më herët, Lidhja Demokratike deklaroi se ndryshimi i kompetencave të disa ministrive dhe formimi i ministrive të reja duhet të bëhet me ritme të shpejta për të formuar një qeveri të re dhe për të parandaluar një shembje të plotë të shtetit. “Jemi dëshmitarë të institucioneve tërësisht të shpërbëra dhe joefikase. Shembulli më flagrant është Ministria e Shëndetësisë, ku Qendra Klinike është në kolaps të plotë dhe nuk mund të ofrojë shërbim shëndetësor të lartë për qytetarët. Situata është e ngjashme në shumë institucione të tjera, dhe njoftimet dhe kërcënimet perfide për destabilizimin e shtetit në baza etnike vetëm sa e mprehin nevojën për formimin e shpejtë të Qeverisë, e cila duhet të funksionojë me kapacitet të plotë”, thonë nga partia e Pavle Trajanovit.

MINISTRA SI DEKOR

Por sipas ministrit të Drejtësisë dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët, Krenar Lloga, mbështetja e dhënë nga “VLEN” për qëllimet programore të VMRO-DPMNE-së (Programi 1198) duke ndryshuar ligjet sistematike me shumicë 2/3, duke krijuar ministritë e për të fuqizuar shqiptarët, tregon vasalitetin e tyre shembullor. “Krijimi i Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale e bën ministrin e Ekonomisë të parëndësishëm dhe thjesht një dekor, pra një ministër pa portofol. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, duke i hequr kompetencat e arsimit parashkollor, pra kopshtet, dhe ato kompetenca ia kalojnë Ministrisë së Arsimit, që do të bëjë të pavlerë një ministri tjetër të drejtuar nga shqiptarët”, thotë Lloga.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova këtë javë duhet t’i ndajë mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Nga momenti kur do të bëhet mandatar, Mickoski do të ketë 20 ditë për të formuar qeverinë e re. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 21:30