Shpërndarja e Këshillit Gjyqësor, Lloga u drejtohet ndërkombëtare

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 19:19

Shpërndarja e Këshillit Gjyqësor, Lloga u drejtohet ndërkombëtare

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga u ka shkruar letër ambasadave dhe institucioneve ndërkombëtare në vend në të cilën shpreh shqetësim për paralajmërimet e pushtetit në ardhje të VMRO-DPMNE-së për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve. Sipas tij, ky është tentimin për “kapjen” e sistemit gjyqësor që po përgatitet nga shumica e re parlamentare.

Lloga i cili tani këto paralajmërime i quan të ngutshme dhe të rrezikshme, vitin e kaluar, derisa Këshilli Gjyqësor ishte në shënjestër të kritikave për shkak të një sërë skandaleve, tentoi ta bëjë pikërisht të njëjtën. Kërkoi publikisht t’i ndalohet mandati përbërjes së Këshillit Gjyqësor.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Këshillin Gjyqësor të gjithë neve na shqetëson dhe e dënojmë atë. Pres kthim në normalitet. Njëra prej zgjidhjeve të mundshme, për të cilën diskutojmë edhe me partitë politike dhe me pushtetin, është ndryshime kalimtare të dispozitave që të kemi ndërprerje të mandatit të përbërjes së këtij trupi”, deklaroi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.

Por, meqë nuk mori mbështetje nga partitë e koalicionit dhe opozitës, ai u tërhoq nga propozimi dhe la hapësirë që Misioni Vlerësues i BE-së të skanojë situatën dhe të japë rekomandime.

Për letrën, sot u deklaruan nga VMRO-DPMNE. Sipas Antonio Milloshoskit, Lloga ka të drejtë të ankohet, por megjithatë, ata e kanë të domosdoshme të bëjmë reforma.

“Mu për shkak të një prej ministrave më të paaftë Lloga dhe zëvendësja e tij Madiq, ra besimi në sistemin gjyqësor në rekord prej 2%. Reformat janë të domosdoshme dhe vlerësoj se VMRO-DPMNE e ka për obligim para qytetarëve, që të bëjmë reforma në këto dy institucione”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Ministri i cili gjatë periudhës së krizës në Këshillin Gjyqësor ishte aktual me deklarata dhe komente, por edhe me polemika të përditshme me anëtarët e Këshillit, në letrën e sotme, u thotë përfaqësuesve të faktorit ndërkombëtar se për të personalisht dhe për Ministrinë e Drejtësisë janë të papranueshme dhe të palejueshme deklaratat e zyrtarëve politikë.

“Jo për shkak të mbrojtjes së individëve në këto organe, por sepse kanë të bëjnë me pavarësinë dhe autonominë e institucioneve respektive, për të cilat kemi marrë raport nga Misioni Vlerësues nga Bashkimi Europian ku saktësisht është treguar se çfarë hapash duhet të ndërmarrin organet shtetërore për përmirësimin e situatës në gjyqësor”, theksoi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.

Lloga në fund të letrës shpreh shqetësimin serioz se qeveria e re do të marrë nën kontroll tre pushtetet dhe kjo, sipas tij, nënkupton kthim të situatës dhe problemeve të para vitit 2017, të cilat, kanë krijuar një shtet të robëruar.
Megjithatë, funksionarët të cilat kanë keqpërdorur pozitat e tyre gjatë periudhës së shtetit të robëruar, shpëtuan nga drejtësia. Madje, derisa me Ministrinë e Drejtësisë udhëhiqte Lloga, u miratuan ndryshimet skandaloze të Kodit Penal, me të cilat përfituan shumë funksionarë të përfshirë në keqpërdorime pikërisht në kohën e shtetit të robëruar.

Ndonëse ishte në krye të ministrisë, ai doli kundër këtyre ndryshimeve, të cilat i solli qeveria në të cilën përkiste ai. Ai vetë nuk i firmosi, por këtë e bëri zëvendësja e tij, Viktorija Avramovska Mandiq. Mospërputhjen me zëvendësen e tij për këto ndryshime, Lloga e kaloi me justifikimin se megjithatë ajo ka kompetenca, ndërkaq përgjegjësia kryesore bie te deputetët.

Lloga, po i numëron ditët e fundit në postin e ministrit të Drejtësisë pa e realizuar premtimin e partisë së tij se do të ketë hetim ndërkombëtar për rastet të cilat në opinion ka dyshime për montim. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 19:19