Zëvendësambasadorja greke: Të gjithë zyrtarët të respektojnë plotësisht Marrëveshjen e Prespës

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 22:11

Zëvendësambasadorja greke: Të gjithë zyrtarët të respektojnë plotësisht Marrëveshjen e Prespës

Zëvendësambasadorja e Greqisë, Gjeorgjia Andreadi u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve në vend që të respektojnë plotësisht, t’i përmbahen dhe të zbatojnë me mirëbesim të gjitha marrëveshjet detyruese ndërkombëtare siç është Marrëveshja e Prespës, përcjell FLAKA.

Siç tha ajo, kjo është për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar dhe evropian se janë të sinqertë dhe të përkushtuar për të ardhmen e tyre euroatlantike.

“Në një shënim personal, dua të sqaroj se për sa i përket Greqisë, institucionet nuk janë të njëjta me personin. Në një shoqëri demokratike kur institucioni mbivendoset me personin, nuk mund të jetë një shoqëri demokratike. Prandaj, dua të përsëris se presim që Maqedonia e Veriut në mirëbesim dhe në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat absolutisht mund t’i ndërtojmë dhe të ecim drejt së ardhmes së bashku, të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Prespës”, tha Andreadi.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova refuzon të komentojë kërcënimet e përditshme të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për veto të mundshme për integrimet evropiane të vendit për shkak të, siç thotë ai, mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës nga ana e saj.

Presidentja nuk e ka përmendur mbiemrin “Veriu” kur ka bërë betimin në Kuvend dhe që nga ajo kohë fqinji jugor vazhdimisht ka këshilluar respektimin e Marrëveshjes së Prespës. Marrëveshja e Prespës zgjidhi mosmarrëveshjen për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Autoritetet maqedonase dhe greke e kanë nënshkruar atë më 17 qershor 2018 në Nivici. FLAKA

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 22:11