Gjashtë vjet nga Marrëveshja e Prespës, Mickoski: Qeveria e ardhshme do ta respektojë

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 21:34

Gjashtë vjet nga Marrëveshja e Prespës, Mickoski: Qeveria e ardhshme do ta respektojë

Gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës dhe është pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë. Kështu është shprehur lideri i VMRO-DPMNE-së dhe mandatari i ardhshëm, Hristian Mickoski. Megjithatë, ai tha se do ta shfrytëzojë të drejtën e tij elementare dhe se në çdo deklaratë të dhënë, atdheun e tij do ta quajë Maqedoni. Komunikimi institucional që është pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve do të respektohet, shtoi ai.

“Gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës dhe është pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë. Përfshirë këtu, edhe vendimet për deputet që i morëm janë me shtesën – e Veriut. Edhe propozim-ligjin që po e paraqesim sot është me shtesën – e Veriut. Por, e drejta ime njerëzore, e garantuar me shumë konventa, është e drejta e shprehjes dhe e fjalës. Nuk zemërohem me politikanët kur nuk thonë emrin e plotë të vendit të tyre, por fundin ose një pjesë të atij emri. Për mua atdheu im në çdo deklaratë që bëj është Maqedonia dhe do të mbetet Maqedoni.”, – deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

Në Athinë, konferencë dyditore ndërkombëtare

Ndërkohë, me rastin e 6-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, në Athinë më 17 dhe 18 qershor do të mbahet konferencë dyditore ndërkombëtare për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm që organizohen nga Instituti “Aleksis Tsipras” dhe Fondacioni “Zoran Zaev”. Nga RMV-ja, në konferencë janë paraparë të marrin pjesë ish-kryeministrat, Zoran Zaev dhe Vllado Buçkovski; ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe Venko Filipçe, si drejtor i Fondacionit “Zaev”. Në këtë Konferencë do të diskutohet për të ardhmen e Evropës pas zgjedhjeve evropiane, procesin integrues të Ballkanit Perëndimor, zhvillimet gjeopolitike në Mesdheun Lindor, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, zgjidhja e krizës klimatike, por edhe zhvillimet ekonomike evropiane.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 21:34