Në Urologji një sallë do të punojë në dy turne, Shabani: Duhet zgjidhje e përhershme

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 21:36

Në Urologji një sallë do të punojë në dy turne, Shabani: Duhet zgjidhje e përhershme

Në Klinikën e Urologjisë një sallë do të punojë me dy ndërrime dhe nga e hëna do të funksionojnë dy salla për operacione me program me zgjedhje, informoi urologu, Bashkim Shabani. Ai theksoi se kjo është një zgjidhje e përkohshme me kompresorë të instaluar nga jashtë, por edhe kompresorë të lëvizshëm në sallë, ngase tre javë është problem teknik.

“Sot zyrtarisht kemi informacion që do të punojë një sallë e operacionit me dy ndërrime dhe kjo është zgjidhje e përkohshme. Këto probleme teknike po zgjasin tre javë dhe janë vendosur në sallë kompresorë nga jashtë. Ne nuk operojmë me kapacitet të plotë, sepse është vetëm një sallë dhe është paralajmëruar se nga e hëna do të jemi gati për funksionimin e dy sallave me program me zgjedhje. Nuk dihet ende se si do të jetë i gjithë sistemi i gazsjellësve dhe stacioneve të kompresorëve.”, – deklaroi urologu, Bashkim Shabani.

Ai sqaroi se të gjitha klinikat kirurgjikale më parë kanë pasur rreth njëqind operacione në ditë. Problemi me bllokun e kirurgjisë vazhdon prej rreth një muaji. Bëhet fjalë për dy mijë operacione dhe për shkak të festave, lista e pritjes do të zgjatet edhe për dy deri në tre muaj.

“Sistemi shëndetësor në Maqedoni është i centralizuar. Ndërhyrjet më të mëdha kirurgjikale kryhen në Qendrën Klinike. Fatkeqësisht, kjo do të ndikojë shumë në gjendjen shëndetësore të pacientëve. Ka pacientë me kancer të prostatës, për shembull, ka një zonë pritjeje. Mirëpo, ka tumore të fshikëzës dhe veshkave që realisht nuk mund të presin gjatë, sepse gjatë pritjes mund të shfaqen edhe metastaza.”, – theksoi urologu, Bashkim Shabani.

Shabani po ashtu theksoi se zgjidhja e përhershme është zëvendësimi i stacionit të kompresorit me tubacionet, i gjithë sistemi i kompresorit, pasi që stacioni ishte i vjetër 30 vjet.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 21:36