Riorganizimi i Qeverisë, shumë Ministri ndajnë rrugët!

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 19:25

Riorganizimi i Qeverisë, shumë Ministri ndajnë rrugët!

Propozim-Ligji për organizimin dhe punën e organeve shtetërore u dorëzua në Kuvend. Dispozitat e propozuara do të prekin tetë ministri. Ministrisë së Ekonomisë i shtohet edhe sektori i punës dhe do të jetë Ministri për Ekonomi dhe Punë. Politikës Sociale i hiqet puna dhe bëhet Ministri për Politika Sociale, Demografi dhe të Rinj.

Agjencia për Rini dhe Sport shuhet dhe formohet Ministria për Sport. Nga Ekonomia ndahet sektori i energjetikës dhe formohet Ministri për Energjetikë, Miniera dhe Lëndë Minerale. Kulturës i shtohet turizmi, ndërsa Ministria e Shoqërisë informatike dhe Administratës ndahet në dy nga ku formohen Ministria për Digjitalizim dhe Ministria për Administratë.

Sistemi Politik shtrihet në kuadër të Qeverisë, ndërsa Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive bëhet Ministri për Marrëdhënie mes Bashkësive. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se kërkohet që ky ligj të miratohet me procedurë të shpejtë.

“Sot ligji është dorëzuar në procedurë parlamentare. Pres që të premten të gjendet në procedurë parlamentare, të miratohet nevoja ndërsa më pas komisionet amë të vazhdojnë punën dhe të kthehet në seancë plenare për miratim. Pres që më së voni të hënën ose të martën ky ligj të miratohet”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndonëse ditë më parë u deklarua se shumica akoma nuk i ka siguruar 80 votat e nevojshme për ndryshimin e ligjit sistematik, Mickoski tha se nuk do të bëjë gjah për deputetë.

“Nuk dua të veproj se gjahtar i deputetëve, por dua t’i bëj thirrje deputetëve që të gjithë njëzëri, duke u thirrur në legjitimitetin e fituar të veprojmë dhe të përmbushim besimin e qytetarëve. Dua që kështu të përfundojë ky proces, ndërsa praktikat e hidhura nga e kaluara dua që t’ia lëmë të kaluarës”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ditë më parë Kuvendi formoi dy trupat e punës të nevojshëm për procedimin e propozim-Ligji për organizimin dhe punën e organeve shtetërore. Me Komisionin Juridik-ligjvënës do të udhëheq deputeti Aleksandar Veljanovski, ndërsa me Komisionin për Sistem Politik si trup amë i ligjit të sapo dorëzuar në Kuvend do të udhëheq deputeti Ljupço Prenxhov. Trupat e tjerë punues do të formohen periudhën e ardhshme. / Alsat.mk

Ministria për Ekonomi dhe Punë
Ministria për Politika Sociale, Demografi dhe të Rinj
Ministria për Sport
Ministria për Energjetikë, Miniera dhe Lëndë Minerale
Ministria për Kulturë dhe Turizëm
Ministria për Digjitalizim
Ministria për Administratë
Ministria për Marrëdhënie mes Bashkësive
Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 19:25