Të shtunën, pjesa e dytë e provimit të maturës, QShP: Po shqyrtojmë indikacionet për kopjim

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 21:38

Të shtunën, pjesa e dytë e provimit të maturës, QShP: Po shqyrtojmë indikacionet për kopjim

Të shtunën mbahet provimi i dytë i testimit të maturës shtetërore, ndërsa Qendra Shtetërore e Provimeve po përgatitet për të organizuar testimin e dytë të nxënësve në përputhje me rregullat e parashikuara, duke mënjanuar çdo keqpërdorim të mundshëm të kopjimit të nxënësve. Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajlovska, tha se po punohet në zbardhjen e plotë të rastit dhe verifikimit të atyre nxënësve, të cilët kanë kopjuar të shtunën e kaluar. Testuesit të cilët do të konstatojnë emrat e nxënësve që kanë kopjuar, të dhënat do t’ia dorëzojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Dita e parë e testimit kaloi si kaloi, tani jemi të koncentruar për testin që do të mbahet të shtunën ku maturantët i nënshtrohen pjesës së dytë të testimit, por sa nxënës kanë kopjuar nuk e dimë për momentin, e di vetëm se disa nxënës janë përjashtuar nga testimi, mirëpo çfarë do të ndodhë me numrin e përgjithshëm të nxënësve të cilët kaluan ose jo testin, apo ata që kanë kaluar me çfarë notë do të vlerësohen do të dihet në fund të procesit pasi që do të grumbullojmë të gjitha të dhënat nga dita e parë dhe e dytë e testimit.”, – deklaroi drejtoresha e QShP-së, Biljana Mihajlovska.

Në lidhje me grupin viber në të cilin është shpërndarë testi i gjuhës amtare në fillim të provimit të shtunën, Mihajlovska tha se kjo nuk do të thotë se të gjithë anëtarët e këtij grupi kanë keqpërdorur përgjigjet që janë shënuar më pas. Problemi, sipas saj nuk qëndron tek përdorimi i teknologjisë së re, por tek qëndrimi dhe ndërshmëria ndaj provimit shtetërorë, sepse kopjimi ndër vite paraqitet si problem.

“Në grupin viber nuk është shpërndarë testi i plotësuar, por kur ka filluar testimi, respektivisht kur 15.000 nxënësve u janë shpërndarë testet, një nxënës prej tyre ka nxjerrë celularin dhe ka fotografuar testin, me qëllim që dikush më vonë t’i ndihmojë atij dhe të plotësojë testin, ku menjëherë më pas, disa anëtarë të grupit, kishin filluar të japin mendime, përgjigje të supozuara për pyetjet e parashtruara në këtë test. Kështu që në këtë rast, nuk mund të flasim se bëhet fjalë për test të plotësuar tërësisht. Tani këto përgjigje që janë shkëmbyer në këtë grup janë të sakta apo jo, nuk e dimë pasi që për këtë do të vlerësojnë vlerësuesit dhe sa persona në atë moment kanë kopjuar përgjigjet, nuk e dimë.”, – theksoi drejtoresha e QShP-së, Biljana Mihajlovska.

Në grupin viber të nxënësve ka pasur rreth 7 mijë anëtarë. Rezultatet e testimit të maturës shtetërore do të publikohen deri më 8 korrik.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 5 Qershor, 2024 21:38