A është irracionaliteti një lloj realiteti në Shqipëri?!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 20:29

A është irracionaliteti një lloj realiteti në Shqipëri?!

Irracionaliteti më i dukshëm te ne lidhet jo me këtë aspekt, që duket gati metafizik, por me faktin që për probleme kombëtare intelektuale nuk debatojnë zakonisht ish-specialistë, inxhinierë apo profesorë universitetesh, akademikë, intelektualë, por njerëz që janë shumë larg këtyre përballjeve, madje me shkollim të cunguar

Nga Ben ANDONI

Gjithnjë e më shumë irracionalitetet po shihen me logjikë racionale, pasi konsiderohen si tregues nga ku mund të shihet realizimi i disa ideve dhe zhvillimeve që nuk rroken me sy të lirë apo me gjykimet racionale – ku përfshihet më shumë mendimi i studiuesve. E sheh sot interesimin për irracionalitetet në motivacionet e çmimeve të mëdha të ekonomisë (Nobel), por e shikon edhe në logjikën sesi këqyren aspektet e zhvillimeve specifike të vendeve të ndryshme. Nga ana e saj, Shqipëria mund të jetë një laborator i mirë politik, nga ku mund të shihet se si zhvillimi anormal, i pambështetur në një sistem ekonomik të mirëfilltë, po bën udhën e vet në familjen e vendeve demokratike dhe synon integrimet në bashkësinë evropiane.

Për hir të së vërtetës, është mënyra se si po sillet ekonomia botërore gjatë dekadave të fundit, që tregon se ekonomistët e zakonshëm po arrijnë ta kuptojnë rëndësinë e “irracionaliteteve” të ndryshme (këtu futen paragjykimet, anomalitë, preferencat, etj.; Samson, 2014-2021; Thaler 2016) në analizën ekonomike, e cila është në përputhje me atë që kanë theksuar shumë shkolla të tjera ekonomike anti-neoklasike, p.sh., “shpirtrat e …” theksuar nga John Maynard Keynes (Keynes, 1936, f. 161-162); ose “pavetëdija”, “instinktet” ose “impulset” në psikologjinë frojdiane, referon Bin Li, një kërkues i pavarur i Universitetit të Karolinës së Veriut në Çapel- Hill. Kuptohet se nuk po shkojmë ta arsyetojmë këtë element deri në detaje, sepse do na duheshin shumë kërkime si ndihmë, por një gjë është e kuptueshme: duket se irracionalitetet janë ato që jo pak herë japin elementë “racionalë” te ne.

Për fat të keq, në kohën kur shkenca dhe teknologjia po luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve e ku këto tema lipset të trajtohen ndryshe, Shqipëria vazhdon të renditet në vendin e fundit në Evropë dhe në rajon për numrin e botimeve shkencore të publikuara, referuar një studimi të vitit 2023 të Science (Birn, 2024). Gati dy vjet më parë, deputetja Tabaku i përcaktoi si “paradokset e qeverive Rama” disa irracionalitete tonat: 1. Punë ka, por nuk ka profesionistë; 2. Profesionistë nuk ka, por Shqipëria ka rilindur; 3. Rilindja erdhi, Shqiptarët po ikin; 4. Shqiptarët ikin por në Shqipëri vazhdon rritja galopante! Në një editorial të fundit të Monitor-it, argumenti shkon më tutje dhe tregohet paradoksi se si ndodh që vendet e pasura me burime natyrore, jo pak herë konsiderohet të jenë më të varfrat dhe për këtë merrej edhe shembulli i vendit tonë: “Vendi ynë është rasti tipik se si pasuritë e shumta natyrore, në raport me popullsinë dhe sipërfaqen, nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies së popullatës së saj, që edhe sot vijon të mbetet ndër më të varfrat në Evropë. Kemi fushën më të madhe naftëmbajtëse në tokë në Patos-Marinzë, por ende pas gati dy dekadash kompania që e shfrytëzon me koncesion nuk paguan tatimfitimi. Burimet e shumta të kromit, në pjesën më të madhe janë bërë shkak konfliktesh prej informalitetit të shfrytëzimit, apo burim aksidentesh si rrjedhojë e masave të dobëta të sigurisë. Kemi ujë me shumicë, diell, por sërish importojmë në vit mesatarisht 20-50 përqind të energjisë që na nevojitet, sepse nuk arrijmë që të bëjmë diversifikimin e burimeve”.

Por, le të kthehemi pas në argumentimin tonë? Faktori i parë që vjen në mendje midis ekonomistëve për irracionalitetet është kostoja llogaritëse ose kostoja e të menduarit (Conlisk, 1996), e cila e pengon procesin e të menduarit të arrijë optimalitetin e dëshiruar, referon studiuesi i mësipërm. A punohet dhe a ka irracionalitete të tilla te ne? Do të ishte një arritje vërtetë e madhe për mendimin publik, por koha dhe realiteti si edhe modelet që ndjekim, tregojnë se mendimi dhe “kostoja” e llogaritur e tij nuk është ende në nivelet e duhura. Prandaj, do të jetë e nevojshme të trajtohet veçmas “koha e të menduarit”. Koha, edhe pse një “kosto”, nuk duhet të konsiderohet plotësisht e monetizueshme dhe kështu plotësisht e krahasueshme me analizën tradicionale sasiore kosto-përfitim. Është e qartë se tendencat “irracionale” të theksuara korrespondojnë me papërsosmërinë e njohurive të grumbulluara; e cila sapo të zbulohet dhe vërtetohet kjo e fundit, veçanërisht në ashpërsinë analitike si ajo e ekonomisë neoklasike, sakaq do bëhej mjaftueshmërisht e pranueshme si “racionale”, referon Li. Ku mund të gjendet një teori e tillë dhe si mund të lidhemi më shumë për të?

Irracionaliteti më i dukshëm te ne lidhet jo me këtë aspekt, që duket gati metafizik, por me faktin që për probleme kombëtare intelektuale nuk debatojnë zakonisht ish-specialistë, inxhinierë apo profesorë universitetesh, akademikë, intelektualë, por njerëz që janë shumë larg këtyre përballjeve, madje me shkollim të cunguar. Një numër jo i pakët i tyre, tashmë në moshën e tretë, gjendet nën ndihmën e fëmijëve, të pamundur për të përballur jetën në Shqipëri, por mbi të gjitha rrethuar me harresën. Një kapital i tërë human dhe një nivel mendimi, që duhej konsideruar si fat, që nuk afrojnë “irracionalitet”. Të mendosh se një pjesë i kanë shërbyer Shqipërisë dhe sakrifikuan me idealizëm me besimin se vendi ynë do të arrinte në parametrat më të lartë, falë atij potenciali të burimeve natyrore dhe të një populli vital, që gjenerohej dikur me parametrat të lartë në botë.

Kurse, sa i përket politikës, irracionalitetin real e kemi me ata që flasin për demokracinë në Shqipëri dhe që më së shumti kanë jetuar në kohën e komunizmit dhe pjesën më efikase të formimit e kanë në atë kohë. Rasti i Shqipërisë për të gjithë këtë periudhë e ka shpalosur këtë irracionalitet përzgjedhjeje mes figurave të Berishës dhe Nanos e më vonë Metës dhe Ramës si racionalitet i vetëm qeverisës. Shqiptarët e rivotuan Nanon, e Berishën, Meta është ende në politikë (edhe pse është ende në moshë relativisht të re) edhe kur ata duheshin kaluar në historinë e dështimeve. Por, habia më e madhe mbetet mënyra sesi sillet opozita dhe pastaj si trajtohet opozita nga maxhorancat. Ende racionaliteti për të është një lloj irracionaliteti, që opozita mundohet të shpalosë.

Larg kësaj që po shkruajmë, a është racional, sistemi demokratik ku jemi? Ofendimet, konfliktet, vrasjet apo ekonomia e pakonturuar nuk ka prodhuar mirëqenie. Shqipëria mbetet me të ardhurat dhe fuqinë blerëse më të ulët në Evropë, sipas Eurostat-it. Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34 përqindëshi i mesatares së Bashkimit Evropian. Ky tregues është më i ulëti në Evropë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen). Dhe 40 përqind e buxhetit jepet thjesht për të ushqyer! E megjithatë, ne vazhdojmë të përcjellim të njëjtën udhë. Devijimet e shumta të të menduarit nga trajektorja deduktive neoklasike mund të quhen kolektivisht “shformime mendore”. Ky është imazhi negativ i sistemit të njohurive të njerëzimit që u injorua mjaft nga rrjedha kryesore e inteligjencës, por e thënë më ndryshe për kushtet shqiptare: a do mundemi ndonjëherë që cilësi gati irracionale t’i kthejmë në potenciale racionale?! Parametrat ekonomikë po na tregojnë të kundërtën, kurse korrupsioni batakun, ku gjendemi në një lloj tjetër irracionaliteti patologjik, që duket si racionalitet … normal.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 20:29