Dialog me qasje cilësisht të re perëndimore!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 20:27

Dialog me qasje cilësisht të re perëndimore!

Sigurisht që ndryshimi i lartpërmendur ndaj Beogradi, do të ketë rrjedhojat e tij pozitive dhe në Kosovë. Kjo e fundit do thënë se ka mbajtur qëndrime të drejta në shumë aspekte dhe me argumentet përkatëse

Nga Jorgji KOTE

Në kancelaritë, në median perëndimore dhe gjetkë, vazhdon të diskutohet me shqetësim mbi ngërçin në dialogun Prishtinë-Beograd dhe perspektivën e daljes prej tij. Një diskutim i drejtë, ca më tepër tani, në pritje të zhvillimit dhe rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin e ri Evropian më 6-9 qershor, prej nga do të dalin dhe drejtuesit e rinj më të lartë të katër institucioneve kryesore të BE-së; rrjedhimisht dhe instancat dhe personat që do të merren me këtë dialog dhe krejt rajonin. Po aq, madje dhe më të rëndësishme janë edhe zgjedhjet presidenciale amerikane më 5 nëntor me rezultatin e tyre, me frikën dhe pasiguritë e njohura. Ndaj ky vit madhor zgjedhor, me problemet dhe sfidat e veta, përfshirë dhe mbarimin e mandatit të ndërmjetësuesve evropianë dhe amerikanë nuk jep kurrfarë shansi për ndonjë hap përpara në dialogun Serbi-Kosovë. Për pasojë, preokupimi real diplomatik ndërkombëtar këtë vit ishte dhe mbetet shmangia dhe frenimi i përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes. Edhe demarshet më të fundit për “ta mbajtur me oksigjen” këtë dialog ishin më tepër sa “për t’u gjendur Kola në punë”! Tani, problemi kryesor është se ç’do bërë që të dilet nga ky ngërç dhe të vijohet më tej më dialogun Prishtinë-Beograd, i cili vërtet ka “rënë nga shiu në breshër”!

Ka ekspertë që thonë se po t’i jepej “karota/kulaçi” Serbisë, duke nënkuptuar anëtarësimin në BE, atëherë problemi do të zgjidhej dhe Beogradi “do bëhej ‘qengj’”! Nuk ka pikëpamje më naive se kjo! Asgjë nuk do të ndodhte sikur Serbia të hynte qysh nesër në BE. Ajo do të ishte thjesht një trampolinë, që Beogradi të realizonte më shpejt dhe më mirë, madje me fondet e BE-së synimet e tij antievropiane. Kosovën nuk do ta njihte dhe as do ta lejonte në organizatat ndërkombëtare, ca më pak në BE. Shihni kërcënimet e Vuçiqit, i cili i thotë gjërat troç, ndryshe nga BE dhe ShBA, të cilat vazhdojnë të flasin më tepër për të qenë “politikisht korrekt”! Nisur nga mendimet e shumë ekspertëve të mirënjohur, diskutimet në korridoret dhe paradhomat evropiane në Bruksel dhe përvojën e gjatë diplomatike të autorit në Bruksel, Berlin dhe gjetkë, më poshtë po rendisim komponentët kryesorë të qasjes së re perëndimore, e cila do të premtonte suksesin e dialogut në të ardhmen. Së pari, strategjia e re duhet të hartohet gjatë këtij viti në nivelet e mesme politike, mbasi të “mëdhenjtë” janë të zënë me zgjedhjet. Ajo çka kërkohet është ndryshimi i madh në përmbajtje, struktura dhe në vetë emrat që do të merren me këtë proces.

Kjo strategji duhet të fillojë nga krijimi i faktorit themelor pa të cilën asnjë hap nuk mund të bëhet përpara. Fjala është për krijimin e terrenit, klimës dhe mjedisit të duhur Beograd-Prishtinë. Aktualisht ai është i helmuar dhe i minuar. Për këtë qëllim kërkohen shumë masa dhe veprimtari politike, ekonomike, kulturore, shkencore, sportive etj. Vetëm kështu do të përmirësohet shkallë-shkallë mirëkuptimi i vërtetë midis palëve në të gjitha nivelet dhe formatet. Ky mirëkuptim do të ndihmonte në krijimin e masave të besimit (confidence-building measures), i cili renditet ndër kolonat kryesore të OSBE-së, por që është i munguari i madh në këtë dialog. Mirëpo, ky besim nuk krijohet vetëm me takime dhe samite kudoqofshin ato; ai kërkon shumë kohë, energji dhe përpjekje dhe veprime të mëtejshme. Këtë e dëshmon dhe modeli i mirënjohur i dy Gjermanive i realizuar më 1973; ndonëse në kulmin e Luftës së Ftohtë, RDGj-ja dhe RFGj-ja e krijuan këtë frymë mirëkuptimi dhe besimi reciprok, natyrisht falë dhe ndikimit madhor të aleatëve perëndimorë dhe qëndrimit të ish-Bashkimit Sovjetik. Ndërsa, Prishtina dhe Beogradi, bashkë me Brukselin dhe Uashingtonin janë shumë larg tij, “në frymë dhe në germa”.

Ndryshimi tjetër i madh në qasjen e re perëndimore ndaj Beogradit mbetet zëvendësimi i diplomacisë paqetuese/qetësuese me atë shtrënguese/imponuese. Është e çuditshme se si Perëndimi vazhdon me naivitet t’i përmbahet kësaj diplomacie demode ndaj Serbisë. A nuk mjaftoi dështimi tragjik i Planit të Paqes Owen/Vence për Bosnjën? Edhe pse nuk lanë lëshim pa i bërë Miloseviqit, ai ua hodhi në kosh planin. Një dështim i madh diplomatik që u pagua me jetën e 8 000 boshnjakëve të pafajshëm në gjenocidin e Srebenicës; u desh ndërhyrja ushtarake perëndimore dhe Marrëveshja e Dejtonit më 1995 që të kompensoheshin sadopak dëmet e diplomacisë paqtuese (appeasement) të ish-kryediplomatëve të famshëm britanikë dhe amerikanë. Diplomacia paqetuese dështoi dhe në Rambuje, ku ndonëse Kosovës nuk i jepej statusi i pavarësisë, sërish Millosheviqi sfidoi me refuzimin e vet kategorik. Çka detyroi Aleancën të fillonte bombardimet ajrore kundër ish-Jugosllavisë. Akoma edhe më e habitshme është se si Perëndimi nuk po vë mend as nga dështimi i politikës proruse, të udhëhequr nga Gjermania, “ndryshim nëpërmjet tregtisë”. Me idenë e gabuar se nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, Rusia do të zbutej dhe Putini do të bëhej “djalë i mirë”! Madje dhe më 2014, kur Putini aneksoi Krimenë, Perëndimi vazhdoi avazin vetëm me disa masa “kozmetike”. U desh agresioni i paprovokuar rus më 24 shkurt 2022 ndaj Ukrainës që Perëndimi të zgjohej i zhgënjyer nga gjumi gjeopolitik, njëlloj si Kryeministri Chamberlain në vitin 1939. E, megjithatë, përkundrejt shumë kritikave të besueshme, diplomacia perëndimore vazhdon me po atë naivitet politik ta shohë dhe trajtojë Beogradin “si të nënës”!

E gjithë kjo diplomaci “përkëdhelëse” justifikohet në emër të stabilitetit, duke konsideruar Serbinë si “çelësin” e stabilitetit rajonal, edhe pse në rajon BE-ja dhe NATO kanë jo pak “çelësa” të tillë – Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, veç bazës ushtarake Bondsteel në Kosovë. Pa përmendur pastaj Turqinë, Italinë dhe Greqinë. Me frikën e çuditshme që “nëse i tregojmë dhëmbët”, ka rrezik që Serbia të anojë nga Rusia dhe Kina, kur Beogradi praktikisht është linjëzuar me to, duke injoruar hapur dhe “paralajmërimet serioze” perëndimore. Sa për ndërmjetësuesit e rinj evropianë, e mira do ishte të vinin nga vende me peshë, shumë e rëndësishme për besueshmërinë e tyre. Përzgjedhja dhe përvoja me Borell dhe Lajçak, nga dy vende që nuk e njohin Kosovën, produkte të shkollës së vjetër sovjetike dhe me dyshime për anim nga Serbia, ishte jo produktive dhe zhgënjyese. Elementi tjetër tejet i rëndësishëm është që diskutimet dhe forumet përkatëse të jenë gjithëpërfshirëse, me praninë e përfaqësuesve të opozitës, shoqërisë civile, botës akademike etj.. Kjo do të ndihmonte në krijimin e një fronti të bashkuar, çka do t’i jepte krejt dialogut një besueshmëri dhe qëndrueshmëri shumë më të madhe. Në këtë kuptim, është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që si Uashingtoni dhe Brukseli nuk ua kanë vënë veshin kundërshtimeve dhe sugjerimeve të ekspertëve më të mirënjohur amerikanë dhe evropianë, të cilët kanë punuar dhe drejtuar në Departamentin e Shtetit dhe në BE; janë emra tingëllues si Serwer, Joseph, Brenner, Philips, Bugajski, Sir Noel Malcolm, Jacques Rupnik e të tjerë. Ca më keq akoma me shpërfilljen e Letrës së 53 kryetarëve të komisioneve të jashtme të Kongresit të ShBA-së dhe vendeve më të fuqishme perëndimore, ku gjithashtu kërkohej denoncimi i diplomacisë përkëdhelëse ndaj Serbisë.

Në vijim, në strategjinë e re do kërkuar fort që brenda një kufiri të caktuar kohor, por kurrsesi jo në fund të procesit, Serbia të njohë shkallë-shkallë Kosovën dhe të mos e pengojë në anëtarësimin e saj në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Nëse Serbia nuk pranon, siç e ka shprehur qartazi, atëherë nuk ka më kuptim dialogu dhe do kaluar në formate të tjera e jo si deri tani, “tërhiq dhe mos këput!”. Në këtë mendim të ri strategjik do rishikuar dhe qëndrimi perëndimor ndaj Kosovës në të gjitha elementët e saj, pa e trajtuar kryesisht me “kërbaç” dhe “si të njerkës”.

Sigurisht që ndryshimi i lartpërmendur ndaj Beogradi, do të ketë rrjedhojat e tij pozitive dhe në Kosovë. Kjo e fundit do thënë se ka mbajtur qëndrime të drejta në shumë aspekte dhe me argumentet përkatëse. Mirëpo tani ka ardhur momenti që krahas sovranizmit, ajo të shfaqë dhe vullnetin e duhur politik; të bëjë realpolitik dhe jo diplomaci morale, duke u linjëzuar me politikën dhe diplomacinë e ShBA-së dhe BE-së; krahas argumentimit me parime politike, Prishtina të merret më shumë me procedura teknike, çka i ka munguar diplomacisë së saj, sidomos lidhur me krijimin e Asociacionit. Këtë ta bëjë dhe kur në pamje të parë mund të ketë pasoja negative nga qëndrime të caktuara, madje dhe humbje në zgjedhje. Drejtuesit e partive në Prishtinë duhet të sillen si “liderë” dhe jo si “mbështetës” si deri më tani. Politika dhe udhëheqësia në Prishtinë duhet të kuptojë mirë se si pesha të rënda në gjeopolitikën botërore, ShBA-ja dhe BE-ja kanë plane dhe interesa të mëdha dhe komplekse, me pasoja në gjithë Evropën dhe botën. Kjo vlen dhe për qëndrimet dhe politikat e tyre afatgjatë ndaj Serbisë dhe Kosovës. Më konkretisht, politika dhe diplomacia në Prishtinë duhet ta kuptojë se krijimi i Asociacionit është urgjencë dhe domosdoshmëri, të cilës ajo nuk i shpëton dot kudo që të degdiset. Sado ta shtyjë këtë proces, sado argumente ligjore të japë, sado të fitojë zgjedhjet, sërish nuk ka se ku shkon pa zgjidhur “gozhdën e Asociacionit” këtë “nyje të vërtetë gordiane” të ardhmes së saj si shtet vetëm në paqe me Serbinë. Ndaj, debatet, diskutimet dhe ca më keq kundërshtimet morale dhe juridike me aleatët tanë janë vetëm humbje kohe për Kosovën. Të mos na gënjejë mendja as me statusin e merituar Anëtar i Asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Me gjithë rëndësinë simbolike, ky status ishte një “ngushëllim” i vogël mbas mospranimit në KiE, por që nuk premton asgjë për anëtarësimin në NATO, apo në BE dhe gjetkë pa krijimin e Asociacionit dhe njohjen nga pesë vendet e BE-së.

Më konkretisht, momenti gjeopolitik po “ulëret” që Prishtina zyrtare të veprojë me procedura deri tani të munguara në nivelet teknike me tekstin e paraqitur të asociacionit, të ngrihen grupe ekspertësh, të bëhen dhe propozohen ndryshimet e rastit, të verifikohet përputhja me Kushtetutën e vendit, të sigurohet zotimi perëndimor që gjithçka do të shkojë mirë e pa cenuar integritetin e shtetit të ri të Kosovës e deri te dërgimi në Gjykatën Kushtetuese. Ky veprim do të shihet me sy të mirë dhe do të inkurajojë aleatët perëndimorë për të mbështetur Kosovën dhe nuk do t’i japë shkas Beogradit të justifikohet gjithandej se pengesë është Kosova. Sot imazhi dhe perceptimi publik ndërkombëtar është më i rëndësishëm se argumentet sado bindëse qofshin të lidershipit të Kosovës. Kush ka punuar në diplomaci, e di mirë se kur një kërkesë si Asociacioni përfshihet në të gjitha forumet dhe dokumentet e organizatave ndërkombëtare, sidomos të BE-së dhe ShBA-së, është e pamundur të bindësh kënd për të kundërtën, ndaj dhe as mos shpreso për njohje të reja. Po, mund të të presin kudo me mirësjellje, por në fund të ditës mikpritësit do të tregojnë dokumentet mbi Asociacionin, duke pritur zbatimin e tij.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 20:27