Kandidati kryesor për ta fituar Euro 2024 pëson nga Islanda

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 22:58

Kandidati kryesor për ta fituar Euro 2024 pëson nga Islanda

Anglia ka pësuar humbje me rezultat 1-0 ndaj Islandës në miqësoren e luajtur në ‘Wembley’, e cila ishte e fundit para fillimit të Euro 2024.

Islanda golin e fitores e shënoi në minutën e 12-të me anë të Jon Dagur Thorsteinsson i cili realizoi për 1-0 duke shënuar në cepin e majtë të portierit.

Anglia rastin e parë konkret e pati në minutën e 28-të me Harry Kane, i cili u asistua nga Cole Palmer por goditja e tij përfundoi mbi traversë.

Në pjesën e dytë Anglia rrezikoi sërish, kësaj radhe me anë të Phil Foden i cili u shërbye mirë nga Anthony Gordon por goditja e tij përfundoi larg shtyllës së djathtë të portierit islandez.

Islanda pati një tjetër mundësi për gol në minutën e 67-të, ku pas një harkimi nga rivënia këndore, Sverrir Ingi Ingason bëri një gjuajtje me kokë e cila u ndal nga portieri anglez.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më raste shënimi dhe Anglia e humbi “testin” e fundit para fillimit të Kampionatit Evropian.

Anglia ndeshjen hapëse të Euro 2024 do ta luajë ndaj Serbisë më datë 16 qershor me fillim nga ora 21:00./Telegrafi/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 22:58