Vedat Muriçi mes ofertës turke dhe ekipit nga La Liga

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 20:37

Vedat Muriçi mes ofertës turke dhe ekipit nga La Liga

Vedat Muriqi ka përfunduar në listën e dëshirave të një klubi të madh turk dhe një klubi tjetër spanjoll, i cili në sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.

Muriqi ka bërë karrierë të gjatë Turqi, pasi ka luajtur me ekipe si Giresunspor, Genclerbirligi, Rizespor dhe Fenerbahçe. Me paraqitjen e tij në klubin e madh, Fenerbahçe, futbollisti u transferua te skuadra italiane Lacio. Pasi ra nën pritshmëritë te Lacio, sulmuesi prizrenas u transferua te skuadra spanjolle Majorka.

Futbollisti kosovar arriti të bëjë sërish emër me futbollin që shfaqi në Spanjë dhe tashmë kanë filluar interesimi dhe ofertat për të. Mësohet se për Muriqin është interesuar klubi i madh turk, Beshiktash, i cili emëroi në krye të skuadrës trajnerin holandez, Xhiovani van Bronkhorst. Sipas “Defense Central”, Beshiktashi synon ta kompletojë këtë transferim duke paguar një shifër të konsiderueshme transferimi, edhe pse më parë do të provojnë huazimin me të drejt blerje.

Ky medium shton se Muriqi mund të jetë i gatshëm të kthehet në Turqi, aty ku do të gjente dy yje tjerë shqiptarë si Milot Rashica dhe Ernest Muci. Nga ana tjetër, pretendohet se për Muriqin interesohet edhe klubi spanjoll Xhirona, e cila u kualifikua për herë të parë në historinë e saj në Ligën e Kampionëve.

Ndryshe, futbollisti prizrenas ka luajtur 33 ndeshje me Majorka këtë sezon, duke shënuar 7 gola dhe duke bërë 2 asistime.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 20:37