Erge omnes-i grek dhe halli i LSDM-së me liderin

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 20:46

Erge omnes-i grek dhe halli i LSDM-së me liderin

Mickoski nuk e ka lehtë me përdorimin zyrtar/privat të emrit të shtetit, sepse ka ngjallë dyshime që shkojnë që nga Athina gjer në Bruksel…Kurse LSDM-ja zor se mund të zgjedhë një lider të ri që do ta ringritë partinë, pasi për këtë do t’i duheshin edhe dështimet e Mickoskit…

Nga Daut DAUTI

MICKOSKI ME “TË DREJTËN E NJERIUT”

E, ja, erdhi koha për të paguar faturën! E nisi kryetarja G.Siljanovska-Davkova, erdhi në radhë sprove edhe e kryeministrit. Që të dytë me lojën e tyre “psikoanalitike” të “ndarjes së personalitetit”. Kush e ka lexuar Frojdin, e di për çka është fjala, kush nuk e ka lexuar, mjafton ta shikojë filmin e Hiçkokut “Psycho”, ku kemi personazhin e Entoni Perkinsit, i cili “komunikon” me dy vetat e tij të personalitetit të ndarë…

Këto gjëra “psikoanalitike” na i sollën disa analistë duke komentuar qëndrimin “privat” (personal) të kryetares Davkova dhe Mickoski për përdorimin e emrit Maqedoni, dhe respektimit institucional të emrit kushtetues, si obligim që ka dalë edhe nga Marrëveshja e Prespës. Me fjalë tjera, nga ç’kemi dëgjuar si qëndrim zyrtar pas ragimeve greke e të përfaqësuesve të ndryshëm të BE-së, krerët e shtetit, e besoj dhe çdo përfaqësues i VMRO-së do të jetë i tillë: gojarisht në çdo situatë do ta përdorin emrin Maqedoni (edhe si përfaqësues institucionalë), si e drejtë universale, ndërkaq në dokumentet zyrtare, në komunikimin ndërkombëtar, do ta respektojnë emrin Maqedonia e Veriut. A mund të ketë “personalitet të ndarë” te një zyrtar i lartë i shtetit si kryeministri e kryetarja e shtetit, pyesin ata që këtu shohin një kundërthënie brenda një subjekti? Sepse, si zyrtar, duhet të përdorë në çdo rast emrin zyrtar të shtetit.

Ky është një interpretim. Ka edhe të tjerë. Mund të kenë të drejtë Davkova e Mickoski që ndonjëherë dhe ta përdorin vetëm emrin e shkurtër të Maqedonisë (sepse, shpesh emrat e shteteve nuk përmenden ashtu siç janë zyrtarisht), mirëpo, ata kanë pasur mjaft kohë në disponim që të ngritën në majën e pushtetit, duke propaguar se kur të vijnë në pushtet, do ta kthejnë emrin e vjetër, sepse për ta, Maqedonia do të mbetet gjithnjë Maqedoni. Për shkak të kësaj, dhe shenjave të para pas ardhjes në pushtet, kanë shtuar dyshimin “e bazuar” te grekët, të cilët, fituan argumentin se garnitura e re në pushtet, vërtet do të shkojë rrugës së mohimit të Marrëveshjes së Prespës. Mickoski ia zuri për të madhe Micotakisit që prej tij kërkon përdorim “erge omnes” të emrit, pra në çdo situatë, dhe e këshilloi që të mos bëhet taleban dhe t’ia cenojë të drejtën private. Pas kësaj, për grekët gjithçka “është e qartë”.

Veprimi dualist i pushtetarëve të rinj, ka arsyen e vet. Me narrativin shumëvjeçar kundër Marrëveshjes së Prespës, mirë kanë kaluar si opozitarë duke fituar jo pak përkrahje nga një pjesë e mirë e qytetarëve. Por tash, si pushtetarë, duhet të bëhen pragmatikë: në njërën anë, për përdorim të brendshëm, do ta përdorin emrin e vjetër si do të donte çdo votues i tyre, kurse institucionalisht, duke e ditur se ç’pasoja mund të ketë kthimi prapa, betohen se do ta respektojnë emrin e ri.

Duhet thënë se dyshimet që vijnë nga jashtë ndaj këtyre veprimeve, mund të kenë pasoja largpamëse. Greqia seriozisht mund të bëhet pengesa e dytë e rrugëtimit të vendit tonë për BE, krahas Bullgarisë. Me veprimet populiste/institucionale, kanë inkurajuar edhe qarqe të tjera, madje dhe akademike, që mendojnë se tash është koha për ta kthyer emrin e vjetër dhe të gjitha këto, nuk mund të mbeten pa u vërejtur nga jashtë!

Kjo që e komplikon pozitën e Mickoskit dhe Davkovës,nuk është ndonjë gjë e madhe, por, e vështirëson pozitën ndërkombëtare të Maqedonisë, dhe ky është problemi i vërtetë.

KRIZË LIDERIKE NË LSDM…

Sllavjanka Petrovska, Jovan Despotovski, Venko Filipçe… Ndoshta edhe Igor Ivanovski. Edhe kush tjetër do të paraqitet në garën për vendin e lirë të kryetarit të LSDM-së? Pas dorëheqjes së Dimitar Kovaçevskit, do të thellohet kriza e LSDM-së, apo do të nisë të zgjidhet pas disfatës “epokale” në zgjedhjet parlamentare të 8 majit? Mund të thuhet se çfarëdo ndryshimi kadrovik që do të bëhet, vetëm mund të sjellë ngritje, sepse, më keq se kaq nuk mund të bëhet, ndonëse nga emrat në qarkullim si kandidatë, zor se mund të pritet ndonjë ndryshim i shpejtë. Do të duhet më shumë se sa ndryshim në krye të partisë.

Ajo që mund të thuhet si shkak-pasojë e rënies së LSDM-së, është penalizimi i kësaj partie nga marrja e vendimeve të rënda në interes të shtetit, ku kjo parti në shumë raste ka ditur të përballet, pavarësisht pasojave. Që nga Marrëveshja e Ohrit e gjer te ajo e Prespës, por dhe me Bullgarinë, e dëshmojnë këtë. Këtu duhet shtuar se një lloj krize liderizmi pasoi që me ardhjen e Dimitar Kovaçevskit në krye të partisë. Jo për vetë atë, por për shkak të situatës që mundësoi ardhjen e tij “prej askundi”. Është rezultati katastrofal i zgjedhjeve lokale që e shtyri liderin e atëhershëm të LSDM-së, Zoran Zaevin për të dhënë dorëheqje. Periudha plotë presione e pengesa, trashëgimtarit Kovaçevski nuk i mundësoi rikuperim të partisë.

Është një fakt i pamohueshëm se deri tash, dy kanë qenë liderë me ndikim të fortë në LSDM, Branko Cërvenkovski dhe Zoran Zaevi. Në momentin që Cërvenkovski vendosi të largohet, si kryetar partie la Zoran Zaevin. Ndërkohë, pas shumë dështimesh zgjedhore, më 2016 atij i polli mushka me zbulimin e aferës së përgjimeve, që sollën në dobësimin e forcës së Nikolla Gruevskit dhe te gatisë një barazim elektoral, t’i hapet rruga Zaevit për të ardhur në pushtet me pak ndihmë edhe nga BDI-ja që zgjodhi LSDM-në, e jo VMRO-në. Zaevi në mandatin e parë me guxim i hyri zgjidhjes së kontestit me Greqinë dhe ia arriti. Edhe pse Marrëveshja e Prespës nuk kaloi në referendum, nuk mund të thuhet se kjo e penalizoi shumë, pasi në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare doli fitues. Dështimi i Zaevit mund të thuhet se ishte lufta kundër korrupsionit, për shkak se ishte i detyruar të bëjë disa kompromise të hapura ose fshehura me disa bartës të pushtetit të kaluar, plus involvimi në dukuri të njëjta nga bartës të pushtetit të tij. Pavarësisht kësaj, ai nuk duhej të tërhiqej nga posti i liderit të LSDM-së e as nga kreu i qeverisë për shkak të zgjedhjeve të dyta lokale, sepse partia e tij nuk pati një figurë të fuqishme që do ta zëvendësonte. Ndaj dhe ardhja e Kovaçevskit si trashëgimtar të tij, duke mos qenë fare njëri nga figurat e para deri atëherë, patjetër se do të kishte pasoja. Plus kësaj, Kovaçevski u ballafaqua edhe me obstruskionet që i erdhën pikërisht nga Zaevi, në momentet kur ky si duket ishte bërë pishman që ishte tërhequr dhe donte të gjente ndonjë mënyrë për t’u kthyer.

Me të mirat dhe gabimet, po të kishte vazhduar Zaevi, LSDM-ja, do të humbte, por nuk do të binte në këtë derexhe. Emrat që u cekën më sipër si kandidatë për kryetarë partie, nuk duket se mund të jenë shpëtimtarët. Dy të parët pothuajse të panjohur, i treti, ish-ministër i shëndetësisë, me një bagazh problemesh që atë e bëjnë figurë jo gjithaq të popullarizuar. Është përmendur si përgjegjës edhe për rastin e djegies së spitalit modular në Tetovë. I katërti në këtë listë, në të vërtetë as që ka shprehur interesim, ishte vetëm propozim joformal nga një bashkëpartiak i tij. Nëse të gjithëve u mungon nga “diçka” për t’u bërë lider partie, vetë partia është në hall, ku ta gjejë dikë që do ta kishte?!

Një figurë autoritative nuk është lehtë për ta gjetur, por në situatën që gjendet, LSDM-ja, ndoshta as kjo nuk do të mjaftojë. Do t’i duhen edhe gabimet dhe dështimet e mëdha të qeverisë së Mickoskit, e cila ende nuk e ka nisur mirëfilli rrugëtimin e vet në përmbushjen e premtimeve elektorale.

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 20:46