Temperaturat e larta, MASH do të vendosë nëse do të ketë orë të shkurtuara

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 22:21

Temperaturat e larta, MASH do të vendosë nëse do të ketë orë të shkurtuara

Ministria e Arsimit do të duhet të vendosë se nëse ditëve në vijim, për shkak të temperaturave të larta, nxënësit do ta ndjekin procesin arsimor me orë të shkurtuara. Kështu u përgjigj Safet Neziri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në pyetjen se nëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i përgjigjet pozitivisht iniciativës së prindërve, të cilët kërkuan që për shkak të temperaturave të larta, viti shkollor të përfundojë para 17 qershorit apo fëmijët të kenë orë të shkurtuara ditëve në vijim.

“Do të shohim, do të vendosë Ministria.”, – u shpreh këshilltari në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri.

Nga ambasada e fëmijëve “Megjashi” theksojnë se nëse iniciativa nuk merr përgjigje pozitive, ndërsa prindërit insistojnë, duhet të gjendet një kompromis mes të dyja palëve, në të cilin fëmijët kanë prioritet.

“Nëse nuk ka pajtueshmëri nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa insistojnë prindërit në kërkesë të fëmijëve, atëherë duhet të gjendet zgjidhje me kompromis. Gjithmonë interesat e fëmijëve duhet të merren parasysh dhe të jemi në funksion të tyre, të mos humbin orë, por edhe ta zotërojnë materialin. Ka mënyra kreative se si mund të bëhet ajo.”, – theksoi Dragi Zmijac nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi”.

Këto komente u bënë me rastin e promovimit të publikimit “Modulet për arsimim paqësor në shkollimin e mesëm”. Kjo sipas kompetentëve është e nevojshme për parandalimin dhe pengimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Ky publikim do t’i ndihmojë mësimdhënësit e shkollave të mesme në procesin e përgjithshëm të zgjidhjes së konflikteve mes nxënësve.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 22:21