Turisti holandez kafshohet nga gjarpri në Ohër, dërgohet në Dibër pasi në Ohër nuk ka pasur serum

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 21:29

Turisti holandez kafshohet nga gjarpri në Ohër, dërgohet në Dibër pasi në Ohër nuk ka pasur serum

Një turist nga Holanda është kafshuar nga një gjarpër helmues, por spitali i Ohrit nuk ka pasur serum, ndaj me autoambulancë është transportuar në spitalin e Dibrës, ku i ka shpëtuar jeta. Drejtori i spitalit të Dibrës thotë se shumë herë shpëtojnë jetë njerëzish të kafshuar nga gjarpëri, shpeshherë bëhet fjalë edhe për banorë nga Shqipëria që jetojnë afër kufirit, pasi spitali i Peshkopejës është më larg spitalit të Dibrës, përcjell FLAKA.

Dy shtetas të huaj kanë marrë ditët e fundit në Spitalin e Përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar në Dibër, antiviperin, serum kundër helmit të gjarprit, i cili u ka shpëtuar jetën.

“Në një rast bëhet fjalë për një person nga vendbanimet fqinje shqiptare, në ambulancat e të cilit për momentin nuk ka pasur serum, dhe për faktin se spitali ynë është më afër se ai rajonal në Peshkopi, ndihma e nevojshme jepet më shpejt dhe në kohë. Nëse një serum i tillë nuk merret brenda 3 deri në 4 orë, ndodh vdekja”, thotë drejtori Jetlumt Pasholli.

Rasti i dytë, siç tregon ai, ka qenë dje dhe jozyrtarisht ka qenë një shtetas holandez, i cili ka qenë me pushime në Ohër.

“Për rastin na kanë telefonuar kolegët e spitalit të përgjithshëm nga Ohri, të cilët nuk kanë pasur serum dhe menjëherë kemi dalë në ndihmë. Ishte koha në fjalë, e cila nuk na lejoi ta çonim serumin në Ohër, për këtë shkak pacientin e sollën me autoambulancë nga spitali i Ohrit, mori antiviperin dhe u kthye sërish në Ohër”, shton Pasholli.

Sipas tij, duke pasur parasysh periudhën e shfaqjes së gjarpërinjve, atyre u është siguruar me kohë serumi i nevojshëm. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 21:29