Kurban Bajrami, uron Muftiu i Gostivarit, Sabahudin Ef. Zendeli

Gostivari Sot
Botuar nga Gostivari Sot 15 Qershor, 2024 10:34

Kurban Bajrami, uron Muftiu i Gostivarit, Sabahudin Ef. Zendeli

Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra!
Mëshira e shumëfishuar e Zotit të Gjithësisë që na mbuloi të gjithëve në këto ditë të bekuara të muajit Dhul Hixhe, kurorëzohet me festën e Kurban Bajramit.

Nesër, muslimanët e mbarë botës do të gëzojnë për këtë festë të madhe që vjen pas ditës së shënuar të Arafatit, ditë kjo në të cilën mëshira e shumëfishuar e Krijuesit tonë Fisnik e bën armikun më të madh të njeriut, shejtanin e mallkuar, të jetë më i hidhëruar dhe i pikëlluar se kurrë, për shkak të faljes së madhe që e sheh të lëshohet mbi robërit e Zotit besimtarë.

Përfundimi i qëndrimit në Arafat simbolizon kryerjen e shtyllës kryesore të Haxhit dhe mbjell tek ne, nëpërmjet praktikave të tij, drejtësinë, barazinë para Krijuesit dhe mbi të gjitha mirënjohjen për mirësinë e madhe të Islamit që ka ardhur tek ne sakrificë pas sakrifice që nga njeriu i parë.

Kam kënaqësinë që në emrin tim, në emër të të gjithë nëpunësve të Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar dhe në emër të të gjithë haxhijve të Gostivarit, t’ua uroj këtë festë nga Mekkeja e bekuar, nga Kodra e Arafatit.

Nën hijen e porosisë hyjnore që ia drejtoi Krijuesi Fuqiplotë Muhammedit a.s. kur i tha: “Ne, vërtet të dhamë ty shumë të mira, andaj fal namaz dhe pre kurban për hir të Zotit tënd! Vërtet urrejtësi yt është fatpreri”, ju uroj: Gëzofshi për shumë vjet Kurban Bajramin, All-llahu pranoftë gjitha lutjet, adhurimet dhe kurbanët tuaj.

Gostivari Sot
Botuar nga Gostivari Sot 15 Qershor, 2024 10:34