Pushimi brenda gjysmëvjetorit, një eksperiment i pasuksesshëm

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Qershor, 2024 21:04

Pushimi brenda gjysmëvjetorit, një eksperiment i pasuksesshëm

Temperaturat e larta, kushtet e mundimshme nëpër mësojtore, demotivim i plotë i nxënësve për të mësuar edhe një javë plotësuse…, ishin gjëra lehtë të parashikueshme para se të vendosej pushimi brenda gjysmëvjetorit dhe vazhdimi i tij për një javë, dhe këto ankesa të prindërve dhe arsimtarëve, ishin më se të pritura, diç që sa më shpejtë duhet të ndryshohet

Nga Daut DAUTI

Kur përmendet fjalë “reformë”, si ata që e bëjnë, si ne qytetarët, presim ndonjë ndryshim pozitiv. Se sa do të realizohen pritshmëritë nuk varet nga dëshira e atij që e ka koncipuar, por nga efektet që sjell në praktikë.  Vitin e kaluar Ministria e Arsimit solli një vendim interesant, i cili u prezantua disi me entuziazëm, si diçka që do t’i gëzojë fëmijët dhe prindërit e tyre, por për ata që e analizuan menjëherë se çka do të sjellë, e morën me dozë skepticizmi. Njëri ndër ta isha edhe unë, sepse pikërisht ditëve që flitej se do të bëhet një ndryshim në ritmin e pushimeve për shkollat, kisha dalë me një propozim të kundërt nga ai që ndërmori Ministria.

Nuk e kam të njohur kush ishin ata pedagogë që ia sugjeruan Ministrisë që të fusë një javë pushim brenda gjysmëvjetorit të dytë, por gëzimi për fëmijët për shtimin e një jave pushim, gjithsesi nuk ishte i menduar mirë përderisa kushti tjetër ishte vazhdimi i vitit shkollor për po aq ditë, pra, deri më 17 qershor. Pra, një gëzim dhe një dëshpërim “në një pako”! Të kishte qenë renditja e anasjelltë, ndoshta dhe do të kalonte disi!

Kur u bë ky ndryshim, nuk pati ndonjë reagim serioz, por reagimet po vijnë tash nga prindërit dhe arsimtarët, pasi mbajtja e mësimit në këto temperatura të larta, është një mundim i madh për fëmijët. Nuk është çështja se sivjet na ndodhi kjo vapë e papritur dhe u humb efekti i dëshiruar, sepse dekadave të fundit gjithnjë qershori është i nxehtë, prandaj duhej të ishte kalkuluar nga Minsitria e Arsimit se nuk do të arrijë ndonjë efekt pozitiv në dinamikën e procesit mësimor. Përkundrazi, shprehia se me ardhjen e qershorit “nuk ka mësim”, por vetëm përfundim notash, vetëm ka shtuar nervozën e nxënësve me një javë plus ngarkesë. Aktori i njohur Sashko Kocev, e kishte përshkruar më së miri këtë situatë të mundimshme  në rrjetet sociale, duke i dhënë dhe pak dozë dramaticiteti që del nga profesioni i tij: “Isha në klasën e fëmijës tim. M’u afruan t’më përshëndetin 19 vogëlushë të postatur, të djersitur, të dehidruar dhe të zhegitur…gjithsesi, as mësuesja nuk ishte në gjendje më të mirë. Përse 17.06?”

Vapa në njërën anë dhe mungesa e kondicionerëve në shumë klasa dhe shkolla, e kanë vështirësuar procesin mësimor, ky është realitet që Ministria duhet ta shënojë si përvojë dhe sa më shpejtë ta rishqyrtojë vendimin e vitit të kaluar. Përvoja po tregon se “reforma” e këtillë, as pati ndonjë qëllim të menduar mirë, e as pati ndonjë efekt pozitiv. Kjo detyrë i mbetet ministrit të ardhshëm që jo vetëm ta heqë vendimin e mëparshëm, por dhe të shikojë një mundësi tjetër, për të cilën thashë se e kam hedhur si ide, jo vetëm vitin e kaluar kur shqyrtoheshin pushimet për nxënësit, por dhe më herët. Ideja është kjo: Në vend se viti shkollor të fillojë më 1 shtator, të prolongohet diku kah 10 shtatori, duke e harmonizuar me disa vende ballkanike, siç është Shqipëria (viti shkollor fillon më 14 qershor) apo Turqia.

Cili do të ishte qëllimi? Së pari, pushimi është pushim, dhe është i mirëseardhur sa më shumë që zgjatë. Por, që ai pushim të ketë njëfarë kuptimi, është çështja e standardit jetësor. Zgjatja e të paktën 10 ditëve pushim në shtator, është një mundësi e mirë për edhe për ato familje me standard më të ulët për t’i çuar fëmijët  e tyre në pushim në destinacionet më të afërta turistike të fqinjësisë, kur aranzhmanet bien përgjysmë më lirë. Në anën tjetër, me një racionalizim plotësues të planit mësimor gjatë dy gjysmëvjetorëve, do të ishte gjetur zgjidhja për t’i kompensuar ditët e pushimit.

* * *

“VMRO-DPMNE de facto e ka pranuar Marrëveshjen e Prespës, por tash po aktrojnë ngapak me atë që gojarisht nuk e përdorim emrin(e shtetit-vër.e ime), por me shkrim, përmes dokumenteve të shkruara, do ta përdorin. Për mua, shumë më me rëndësi dhe më thelbësore është ajo që qe ofruar para zgjedhjeve, si revidimi i Marrëveshjes së Prespës, i Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe revidimin e Kornizës Negociuese (me BE-në-vër.ime) Në bazë të këtyre, ata i fituan zgjedhjet. Së këndejmi, pres që ato dhe t’i zbatojnë”.

Kështu i vlerëson Oliver Spasovski veprimet e VMRO-DPMNE-së pas fitores në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Dhe ka shumë të drejtë. Një politikan më shumë ia qëllon kur është në opozitë, se në pushtet.

Këtu është esenca e demagogjisë politike, e cila keqpërdor ndjeshmëritë e qytetarëve për t’u ofruar një realitet tjetër, nga ai që kur të vijnë në pushtet mund t’ua ofrojnë. Spasovski ka të drejtë, sepse vërtet te pjesa dërmuese e pjesëtarëve të popullit maqedonas, u krijua iluzioni se vërtet VMRO-ja do ta kthejë Maqedoninë në kohën e dehjes me iluzione antike e rreziqesh nga secili fqinj që e rrethon dhe mbrojtje identiteti. Në këtë “grep” gjithnjë ka naivë që bien, por ajo që i inkurajon politikanët të veprojnë edhe më tutje me këso “foresh”, është populli shumë lehtë harron që është mashtruar, dhe ka qejf si duket të mashtrohet prapë!

Nëse kujtojmë ardhjen e LSDM-së në pushtet, pas dhjetë vjetësh abstinencë, është me faktin që e nxori “çipllak” ndershmërinë e propaguar nga makineria mediatike e Gruevskit. LSDM-së pastaj i plasi “bomba” në dorë me dështimin epokal të treshes Katica-Fatime-Lençe, të cilat suksesin më të madh e arritën me Mercedesin e famshëm për të cilin e dënuan Gruevskin dhe të gjorën Gordana Jankullovska, si pikën më të dobët të ish-pushtetit, e cila ndër të rrallat që hëngri burgun, për të përfunduar bashkë me të edhe njëra nga treshja e PSP-së, Katica! Dhe tash, pas 7-8 vjetësh pushtet, në vend se të merrnin dënimin ish-keqpërdoruesit e pushtetit me aferat milionëshe, të cilin ua premtuan zgjedhësve, rrezikojnë që në vend të tyre të gjenden vetë. Kështu shkon kjo mesele e hip-zhdrip pushteteve…

* * *

Nga BE-ja diçka e re?! Një kritikë në adresë të Serbisë që vjen prej Brukseli, vërtet është për t’u përshëndetur, pas shumë përkëdhelive e heshtjeve ndaj çdo veprimi që i shkelte marrëveshjet me Kosovën. Po, BE-ja vlerëson se Serbia po e shkel Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën duke u përpjekur që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare! “Faleminderit, BE!”, do të duhej t’i thoshte Kosova!

Ka një dozë ironie në këtë reagim të BE-së, sepse vjen pas obstruksioneve të vazhdueshme por të “pavërejtura” prej saj që Serbia ia ka bërë vazhdimisht Kosovës dhe pas shtyrjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës! Ironia konsiston se nëse ky qëndrim kritik i drejtuar Serbisë vjen pasi vetë BE-ja i ndihmoi asaj për ta prolonguar pranimin në KE!!!

Kjo “kthjellje” te BE-ja (shprehur nga zëdhënësi Peter Stano, 13 qershor) “udhëton” pak si gjatë: Serbia e Kosova kanë arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt 2023, kurse në mars në Ohër edhe aneksin për implementim. Në nenin 4 parashihet që Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, por BE-ja i mësheli sytë dhe i shurdhoi veshët kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq thoshte se Serbia do të implementojë atë që ajo e konsideron se është në interes të vendit të tij dhe ka vepruar gjithë kohën kështu!

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Qershor, 2024 21:04