RMV-ja me Qeveri të re, Mickoski mori postin e kryeministrit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 18:56

RMV-ja me Qeveri të re, Mickoski mori postin e kryeministrit

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mbrëmë votuan për Qeverinë e re, që do të udhëhiqet nga Hristijan Mickoski, ndërsa do ta përbëjnë koalicioni i VMRO-DPMNE-së, “Maqedonia jote”; koalicioni shqiptar VLEN dhe partia “E di”. Për zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 77 deputetë, 22 ishin kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Kryetari i sapozgjedhur i Qeverisë, Hristijan Mickoski, postin e kryeministrit e ka marrë nga ish-kryetari i Qeverisë Teknike, Talat Xhaferi. Në dorëzim në Qeveri, Mickoski dhe Xhaferi patën një takim të shkurtër pa deklaratë për media. Qeveria e re, në vend të 16 ministrive, siç kishte Qeveria e kaluar, do të ketë 20 ministri. 

VMRO-DPMNE-ja zgjodhi Vllado Misajlovskin për ministër të Mbrojtjes; Pançe Toshkovskin për Punë të Brendshme; Timço Mucunskin për Punë të Jashtme; Gordana Dimitrieska-Koçoskën për Financa; Sanja Bozhinovska për ministre të Energjisë Minierave dhe Burimeve Minerale; ndërsa i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave është Cvetan Tripunovski. Ministër i Transportit është Aleksandar Nikolovski; për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski; për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska; për Kulturë dhe Turizëm, Zoran Ljutkov; për Transformim Digjital, Stefan Andonovski dhe Ministër i Sportit është Borko Ristovski. 

Ministrat shqiptarë nga radhët e koalicionit VLEN janë ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani; ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi; ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari; ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani; ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, Izet Mexhiti dhe ministri pa portofol, Arben Fetai. 

Dy ministrat nga partneri më i vogël i koalicionit qeveritar të partisë “E di” janë ministri i Drejtësisë, Igor Filkov dhe ai i Administratës Publike, Goran Minçev. 

Në përbërjen e re të Kuvendit, në opozitë janë koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik Shqiptar për Integrim (BDI), koalicioni “Për një të ardhme evropiane”, i udhëhequr nga LSDM-ja dhe partia politike “E Majta”.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 18:56