Gjuha me përqindje si gjuhë nën hije

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 25 Qershor, 2024 20:31

Gjuha me përqindje si gjuhë nën hije

Barazia është gjendja e të qenit të barabartë, veçanërisht në status, të drejta dhe mundësi. Barazi do të thotë që çdo individi ose grupi njerëzish i jepen të njëjtat burime dhe mundësi, pavarësisht nga rrethanat e tyre. Pyetja që na imponohet përditë ka të bëjë me faktin se a është gjuha shqipe e barabartë me maqedonishten, a ka hapësirë përdorimi? Apo ne jemi pajtuar me një status nën hije të shqipes, me një mashtrim par exellence?

Nga Hasan JASHARI

A keni parë në ndonjë vend të botës të ketë gjuhë 20 për qind? A keni hasur ndonjë kushtetutë që nga njëra anë të jep diçka, por, ajo që të jep është poshtëruese? A keni parë një Kushtetutë që bën labirinte për përdorimin e gjuhës shqipe me lajka dhe lojë fjalësh? A keni parë një grup të madh ekspertësh juridikë shqiptarë dhe politikanë – pra një kastë e lartë intelektuale dhe politike që mendon se 20 për qind na qenka problem dhe heqja e tij e bën zyrtare shqipen?! Më falni, kjo është miopia jonë kolektive; “lavdi marrëzisë” do të thoshte Erazmo i Roterdamit. Problemi është formulimi që e përcakton se gjuha shqipe mund të përdoret si përkthim, krahas maqedonishtes vetën në nivel lokal dhe vetëm individët kanë të drejtë të drejtohen në institucionet qendrore në shqip, jo institucionet, pra, jo shkollat, komunat, ndërmarrjet…etj. Pra, gjoja se jepet diçka e me lojë fjalësh hapësira e përdorimit ngushtohet në minimum. Dikush mund të thotë se “ja i shtuam mbishkrimet në institucionet publike, dokumentet personale etj”. Por, aty harrojmë se krahas shqipes përdoret edhe anglishtja e cila as që përmendet në Kushtetutë.

BARAZIA DHE SHOQËRIA E LIRË

Barazia është një pasuri e shoqërisë së lirë. Zëshëm kjo vlerë kumboi në sloganet e Revolucionit të madh Francez të vitit 1789. Pra, krahas “les notions de liberté et de fraternité” fuqishëm u promovua parimi i “d’égalité” – barazisë së njohur si slogan aktual edhe sot e kësaj dite në doktrinën politike bashkëkohore.

Të fuqizuara nga Revolucioni Borgjez, nocionet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, datojnë në fakt që nga filozofët e iluminizmit, të cilët nga fundi i shekullit XVII dhe gjatë gjithë shekullit XVIII popullarizuan konceptet e lirisë dhe barazisë. Barazia është gjendja e të qenit të barabartë, veçanërisht në status, të drejta dhe mundësi. Barazi do të thotë që çdo individi ose grupi njerëzish i jepen të njëjtat burime dhe mundësi, pavarësisht nga rrethanat e tyre. Pyetja që na imponohet përditë ka të bëjë me faktin se a është gjuha shqipe e barabartë me maqedonishten, a ka hapësirë përdorimi? Apo ne jemi pajtuar me një status nën hije të shqipes, me një mashtrim par exellence?

A kemi ne në Maqedoni barazi gjuhësore? Habitem kur juristë, profesorë universitarë mendojnë seriozisht se ka përdorim zyrtar të gjuhës shqipe!? Ata nuk e përdorin të menduarit kritik të pyesin si, pse, ku…? Ata nuk e kuptojnë djallëzitë e dyshes Frçkovski- Popovski që këto hile i vendosën në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit e pastaj në Kushtetutë.

BARAZIA E GJUHËVE SIPAS KUSHTETUTËS TË VITIT 1974 NË MAQEDONI

A mund të thirremi në një të drejtë të fituar me Kushtetutën e vitit 1974 e më vonë të çoroditur nga komunizmi në kohën e diferencimit politik e pastaj nga pluralizmi politik i vitit 1990 dhe Marrëveshja e Ohrit? Gjithsesi se po. Nuk mundet që të lejojmë që të drejtat gjuhësore të garantuara me Kushtetutën e vitit 1974 të zhbëhen, të harrohen. Demokracia liberale dhe konsensuale duhet t’i avancojë gjërat, e jo të ecim mbrapa. Zgjidhjet e tashme gjuhësore janë produkt i kohës së diferencimit politik pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë.

Në vitin 1982, Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë u dërgoi një qarkore institucioneve të ndryshme ku i urdhëronte që çdo gjë së pari të shkruhet në maqedonishte dhe pastaj të shkruhet në gjuhën shqipe. Pra vendimi ishte politik. Kështu filluan së pari në shkolla me ditarët, me dëftesat, diplomat, etj. Kjo ishte masë që e luftonte gjoja nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar. Pra, ajo që është në gjuhën shqipe patjetër të jetë e përkthyer. Kështu shqipja u nxor nën hije, u bë e padukshme, shqiptarët filluan të shkruajnë njëherë maqedonisht e pastaj të njëjtën ta përkthejnë. Kjo praktikohet edhe sot.

PËRDORIMI I LIRË I GJUHËS SIPAS KUSHTETUTËS SË VITIT 1974

NENI 178: Çdo kombësie i garantohet e drejta për të përdorur lirisht gjuhën e saj, për të shprehur dhe zhvilluar kulturën e saj dhe për të krijuar institucione dhe organizata që sigurojnë këto të drejta.

Pra, flasim për barazi të gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase dhe për mundësi të krijimit të institucione për zbatimin e saj.

Komunat dhe Republika kujdesen për zhvillimin e edukimit dhe arsimit, si dhe zhvillimin e shtypit, radios, televizionit dhe veprimtarive kulturore në gjuhët e kombësive.

NENI 180: Në zonat ku jetojnë pjesëtarët e nacionaliteteve, në jetën publike dhe shoqërore, gjuhët dhe shkrimet e nacionaliteteve janë të barabarta me gjuhën maqedonase.

Përsëri flitet për barazi të gjuhëve, pra nuk kemi gjuhë të parë dhe të dytë, nuk kemi lloj-lloj neni dhe lojë fjalësh. Në komunat ku jetojnë pjesëtarët e nacionaliteteve, vendimet dhe aktet tjera të rëndësishme të kuvendeve të komunave dhe të organizatave të punës së bashkuar dhe të organizatave dhe bashkësive të tjera vetëqeverisëse botohen edhe në gjuhët e nacionaliteteve. Mbishkrimet publike në këto zona janë gjithashtu në gjuhët e kombësive.

Pra këtu përfshihen edhe Organizatat e punës së bashkuar, që sot njihen si biznese që sot Kushtetuta aktuale nuk i obligon që të përdoret gjuha shqipe

NENI 181: Anëtarët e kombësive kanë të drejtë të përdorin gjuhën dhe shkrimin e tyre në ushtrimin e të drejtave dhe detyrave të tyre, si dhe në procedurën përpara autoriteteve shtetërore dhe organizatave që ushtrojnë kompetenca publike.

SOT, NE, NËPËRMJET LIGJIT 20 PËR QIND PO DISKRIMINOHEMI HAPTAS

Neni 182: Ligji dhe statuti i komunës përcaktojnë kushtet dhe procedurat më të afërta që sigurojnë realizimin e të drejtave të nacionaliteteve, si dhe mënyrën dhe kushtet për zbatimin e barazisë së gjuhëve dhe shkrimeve të nacionaliteteve me gjuhën maqedonase në zonat ku jetojnë nacionalitetet. Komunave u jepet e drejta të përcaktojnë aktin normativ të shkruar për barazi me gjuhën maqedonase

Pra, komunat kanë të drejtë të krijojnë akte normative për barazi të gjuhës shqipe me maqedonishten. Me aktet e përgjithshme të organizatave të punës së bashkuar dhe të organizatave dhe bashkësive të tjera vetëqeverisëse përcaktohen mënyra dhe kushtet për zbatimin e barazisë së gjuhëve dhe shkrimeve të nacionaliteteve me gjuhën maqedonase, në zonat ku jetojnë nacionalitetet. Pra, gjuha shqipe të përdoret edhe në ndërmarrje, industri dhe komunitet.

LABIRINTET TE KUSHTETUTA E AKTUALE E RMV-së

Neni 1: Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. (2) Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe) është gjithashtu gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, sipas këtij ligji. (3) Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuha zyrtare përveç gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj është dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj. (4) Në njësitë e vetëqeverisjes lokale gjuha dhe shkrimi që përdorin së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik. Organet e njësive të vetëqeverisjes lokale vendosin për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve që flasin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Pra, shqiptarët nëse duan të shkruajnë në gjuhën shqipe duhet njëherë ta shkruajnë në gjuhën maqedonase e pastaj të njëjtën ta përkthejnë. Parashtresa, formulari që e japin komunat shqiptare që mbushet në gjuhën shqipe, punëtori shqiptar, pastaj mbush një formular në gjuhën maqedone dhe atëherë ajo merr karakterin zyrtar. Tani për tani për shembull vetëm emrat e punëtorëve shqiptarë në disa ministri, te dera, shkruhen në shqip, çdo gjë tjetër bëhet në maqedonishte, sepse ligjit të shtetit andej-këndej, gjoja të jep, andej të kufizon.

A KA NDONJË VEND PUNE QË ME LIGJ ËSHTË I PËRCAKTUAR SE PUNONJËSI DUHET TA NJOHË SHQIPEN?

Në asnjë nen të Kushtetutës apo të ndonjë ligji nuk ka vende pune që si obligim kanë njohjen e gjuhës shqipe apo gjuhën 20 për qind. Atëherë si mundem unë si qytetar të realizoj të drejtën që t’i drejtohem në shqip kur ai apo ajo na përgjigjen se “nuk të kuptoj” (ne ve razbiram, molam, ne znam albanski…) dhe biseda fillon në maqedonishte?

Ende s’kam shpjegim tek ai hov i maqedonasve pas vitit 2001 për mësimin e gjuhës shqipe. Te UEJL në Tetovë, te profesorët universitarë, në shkolla të mesme, me qindra të rinj maqedonë mësonin gjuhën shqipe se ajo do t’u nevojitej në punën e tyre në administratën publike. Gazetarët shqiptarë, në Konferenca të ndryshme bënin pyetje në gjuhën shqipe e përkthyesi e përkthente në maqedonishte. Nuk fillonte Konferenca, tubimi pa përkthyes. Kjo eufori ishte pas Marrëveshjes së Ohrit, në kohën kur ne mendonim se krijuam një shtet binacional e kurse maqedonasit thoshin haptas se “edhe pas Marrëveshjes së Ohrit do të jetë sikur para Marrëveshjes”. Euforia e mësimit të gjuhës shqipe siç u ndez me një shpejtësi dhe masivitet të madh, ashtu edhe u shua.

SI PËRDOREJ GJUHA SHQIPE NË VITIN 1980?

Evidenca pedagogjike në shkolla, ditari, libri amë, dëftesat në shkollat fillore dhe të mesme, shkruheshin dhe jepeshin vetëm në gjuhën shqipe. Shkollat i drejtoheshim me letër Komunës, ministrisë në gjuhën shqipe. Gjykata pranonte procesverbalet e Mbledhjeve të bashkive lokale, shkollave, vetëm në gjuhën shqipe

SI ZBATOHET LIGJI I GJUHËS 20 PËR QIND SOT?

Është ligj diskriminues që në esencë është bërë që të mbrohet gjuha maqedonase, që ajo të jetë gjithkund. Dëftesat, ditari, libri amë çdo gjë në shkollat shqipe njëherë duhet të mbushen në maqedonishte e pastaj në gjuhën shqipe. Shkollat, universitetet, komunat ndërmarrjet institucionet nuk kanë të drejtë t’i drejtohen një organi, qeveritar, publik, apo dikujt tjetër në gjuhën shqipe. Pra, dikush duhet të bëjë dyfishin e punës kurse paga të jetë e njëjtë. Dikush mund të thotë: “Ja gjëra të imta, por jo”. Janë gjëra të barazisë para ligjit.

SI MË TUTJE DHE VULLNETI I MIRË

Faktori politik shqiptar patjetër duhet ta hapë në Kuvend këtë temë. Kërkesa duhet të bëhet për barazi të gjuhëve dhe palës maqedonase t’i tregohet qartë se zgjidhjet e tashme janë tallëse, ligji s’ka zbatim dhe se sot askush nuk do që të shkruan dy herë, pra këtu ka diskriminim. Se kjo punë që të zgjidhet duhet të ketë “Vullnet të mirë nga pala maqedonase”. Sipas Kantit, e vetmja gjë që është e mirë në vetvete është “vullneti i mirë”. Vullneti është ai që drejton veprimet tona dhe themelon qëllimin e veprimit tonë. Për të sqaruar, Kanti mendon se vullneti i mirë është e vetmja gjë që në thelb është e vlefshme. E vlefshme në rastin tonë është që të respektojmë gjuhën e njëri-tjetrit, kulturën, traditën…Pra, të jemi të sinqertë dhe bashkëpunues. Nëse dikujt i krijon kënaqësi që dikush të shkruajë dy herë – njëherë në alfabetin cirilik dhe pastaj në atë latin, e vetë e ka të vështirë të thotë “Mirëdita” aty ku ai është i vetëm e dhjetë janë shqiptarë, për ne është mundim, është poshtërim.

(Marrë nga Koha.net)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 25 Qershor, 2024 20:31