Lojërat patriotike

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 25 Qershor, 2024 20:32

Lojërat patriotike

“Bota shqiptare” është unike në EURO 2024 dhe një nga shembujt e bukur sportivë të kësaj ngjarjeje sportive, ndërkohë “bota serbe” krijon parlamentin gjithë serb, me skenarë ogurzi…

Nga Daut DAUTI

  1. Titulli nuk është origjinal, po i huazuar nga një film i para tri dekadash me Harison Fordin. Filmin e kam pare kaherë dhe më është zbehur përmbajtja e tij, por më ka mbetur dilema rreth titullit, përse “lojëra patriotike” (Patriot games”)? Nejse, mua nuk m’u desh përmbajtja e filmit që ka të bëjë me aktivitetin e IRA-s, por vetëm titulli, për ta vënë në kontekst të kampionatit evropian në futboll, EURO 2024 dhe gjithë emocionet me të cilat e kemi përjetuar. Sepse, shqiptarët e tranzicionit, me ideale gjysmë të realizuara dhe shumë iluzione të humbura, mblidhen rreth një kauze të përbashkët: futbolli. Më saktë, shqiptarët e të gjitha trojeve e shteteve këtu në Ballkan dhe gjithë botën, bëjnë tifo për reprezentacionin kombëtar të Shqipërisë, shtetit amë të të gjithëve, si një ideal alternativ për idealin e parealizuar të një shteti të përbashkët.

Pjesë e emocioneve gjithsesi është suksesi gjatë kualifikimeve i kombëtares shqiptare, që vjen si një rezultat i shumë rrethanave të cilat si në një mozaik, çdo katror e zen vendin e vet: trajneri ambicioz Silvinjo i ardhur nga Brazili, atmosfera sportive ekzaltuese që po zgjat një  kohë më të gjatë, marketingu i suksesshëm i Federatës Shqiptare për të krijuar atmosferë sportive e ndihmuar dhe nga estrada, një lloj uniteti kombëtar përtej kufijve gjeografikë në formacion me lojtarë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Lugina dhe Evropa…

Dhe gjersa po zhvillohet kampionati evropian, shqiptarët janë derdhur nga të gjitha anët e botës, e më së shumti nga Gjermania dhe stadiumet ku luan kombëtarja shqiptare, duken sikur të jenë në Tiranë. Bile, dominohen tribinat e stadiumeve nga ngjyrat kombëtare shqiptare. Njësoj duken edhe rrugët kur vërshohen nga njerëz me fanella e flamuj kuqezi. Në këtë kontekst, siç kanë shkruar edhe mediat botërore, kjo tifozeri është treguar ndër më shembulloret me sjelljen e tyre, që është një plus më tepër në imazhin sportiv.

Vetë pjesëmarrja në EURO 2024, thonë analistët sportivë, është vetvetiu sukses. Gjithçka mbi këtë, mund të jetë plus.

Shkaku pse shumë reprezentacione “më të mira” nuk janë në Gjermani,  ka të bëjë edhe me motivin. Sipas Nexhmedin Spahiut, pa pasur pak edhe motiv patriotik, nuk mund të arrihen rezultate.  Këtë motiv patriotik, sigurisht e ka pasur kombëtarja shqiptare për arsyet që u cekën më sipër që e stimulon edhe motivin sportiv për të arritur sukses ose së paku, për paraqitje dinjitoze (mbase, si përjashtim nga rregulla, u përkujdes Mirlind Daku, i cili duke dashur t’i nxehtë tifozët shqiptarë me sharje ndaj serbëve dhe maqedonasve(me maqedonasit ç’pati se,ata nuk janë të pranishëm në EURO 2024), ndoshta deshi t’i nxehë me emocione të ulëta për të rënë në nivelin e tifozerisë serbe, apo dhe të “komitëve” maqedonas që shajnë shqiptarët nga të mbërrijnë. Mirë që mediat shqipe nuk patën mirëkuptim për këtë shfryrje patriotike, por dhe vetë e kish kuptuar gafën e vet!)

Kur jemi te “motivi patriotik”, është interesant të përkujtojmë sukseset e futbollit kroat në skenën ndërkombëtare, që filloi fill pas luftërave të viteve 90-të në ish-Jugosllavi. Kroacia doli si fituese edhe ushtarake, edhe politike edhe morale ndaj Serbisë dhe futbollistët kroatë në vitin 1998, u bënë të tretët në botë, gjë e cila nuk u shkoi përdore as Jugosllavisë(që maksimumin e kishte arritur vendin e katër në Kil, në vitin 1962). Një segment i shkëputur nga ajo Jugosllavi, sigurisht do të ishte më pak me vlerë sportive, por Kroacia e dëshmoi të kundërtën. Kroacia e pavarësuar, e udhëhequr nga një trajner që ka ditur t’i motivojë në pikëpamje sportive, por dhe ndryshe, Qiro Bllazheviq, i shkeli reprezentacionet e favorizuara si Gjermania dhe Holanda. Si injektim patriotik u erdhi edhe vizita e presidentit kroat, Tugjman, para ndeshjes për vendin e tretë.

Këtë trend të sukseseve të kroatëve, një popull rreth katër milionë nga Ballkani, e kanë vazhduar edhe me ardhjen e seleksionuesit Lladiq, duke  arritur tituj vicekmapioni në botë dhe Evropë dhe një vend të tretë po ashtu në botë. Ky motiv sportiv, i mbështetur nga motivi patriotik, ka dhënë rezultate fantastike, kundrejt Serbisë, e cila rrugën e pavarësisë e ka pasur paralelisht, por me kontekst tjetër. Serbia nga luftërat e 90-tave doli si humbëse dhe fajtore për krime lufte, gjë që e përshkoi gjithë shoqërinë e saj të pasluftës, me një serë gjykimesh politikanësh dhe komandantësh ushtarakë në Tribunalin e Hagës. Reprezentacioni në futboll, nuk mund të thuhet se ka pasur futbollistë më të dobët se kroatët, por një shoqëri depresive, në të cilën kanë dominuar defetizmi nga mosrealizimi i qëllimeve të mëdha të politikës ekspanzioniste, te një pjesë e shoqërisë, dhe të ripozicionimit të forcave demokratike që donin shkëputje nga ajo politikë, e kishin ulur motivin patriotik që rezultonte me dështimet e njëpasnjëshme edhe në futboll. Duket se as tash nuk ka ndonjë shenjë ringjalljeje të këtij motivi.

Po t’i lëmë serbët e kroatët dhe motivet e tyre sportive e të tjera, t’u kthehemi pak shqiptarëve. Përjetimi emotiv i sukseseve dhe mossukseseve të kombëtares shqiptare, ka dhe plasaritjet në unitetin e saj. Nuk mund të kalojë kjo në kohën pluralizmi edhe pa këso ndasish. Për shembull, një analist kosovar, duke folur për tifozerinë shembullore, do të thotë se ata që mbushin stadiumet në Gjermani, janë më shumë nga Kosova! Pa ta, asgjë?! Që domethënë, te motivi patriotik të kombëtares shqiptare, më shumë kontribut japin ata që s’janë me origjinë nga Shqipëria. Po kështu, te një pjesë e futbolldashësve, dominon teza se “pa futbollistë nga Kosova, Maqedonia, Lugina…, kombëtarja shqiptare s’do të ishte asgjë”! Këta jo se janë futbollistë më të mirë se ata nga Shqipëria, por e kanë atë motivin patriotik më të madh se ata! Ah! Po edhe ky Hysaj që e uli kokën kundër Italisë, dhe i mundësoi gol, s’e ka bërë nga instinkti, po ngase nuk e ka atë dell për t’u flijuar për Shqipëri. Të kishte qenë Bajrami ose Xhimshiti, sigurisht s’do ta kishin ulur kokën, por do të kishin dalë me gjoks përpara? Si Mic Sokoli para topit. E italiani që gati sa nuk ra në tokë pa vetëdije, pse nuk e uli kokën kur gjuajti Asllani?…Ja, kështu edhe kur jemi unikë, dimë të fusim “fitne” që të krijojmë konfuzion, jemi apo s’jemi të gjithë krenarë që jemi shqiptarë?!

Ekstaza në të cilën kalojnë shqiptarët, është një motiv unifikues në sport, që nuk është pa refleksione edhe jashtë sportit, në media e politikë. Të gjitha studiot televizive, jo vetëm në Shqipëri, e trajtojnë si “kombëtarja jonë”, ose “kombëtarja e vendit tonë”, madje edhe në MTV2-shin, ndërkohë që janë më të fortë disa zëra kosovocentrikësh, të cilët thonë se duhet ndarë gjërat, se jemi shtete të ndryshme dhe se kështu duhet të jenë të ndara gjërat gjer sa të kemi këtë realitet. Ata thonë se duhet shtuar ky motiv patriotik për suksese më të mëdha të futbollit në shtetin përkatës.

  1. Pamjet idilike që na serviren nga Gjermania, të shtyn të mendosh sa e bukur është kjo “bota shqiptare”. Ndryshe nga ajo “bota serbe”, e cila ditë më parë mbajti parlamentin gjithëserb. Një botë agresive dhe ndjellakeqe, që nesër mund ta zë në gjumë “botën shqiptare”. Vetë presidenti serb për një medium të huaj kishte paralajmëruar se në 4-5 muaj mund të fillojë lufta e madhe botërore. Analisti Ilir Kulla këto paralajmërime të Vuçiqit i lexoi tërthorazi edhe si skenar ogurzi që Serbia e armatosur gjer në dhëmbë, ta shfrytëzojë atë luftë që të realizojë qëllimet për bashkimin e “botës serbe”. Bota shqiptare e “armatosur” me flamuj, fanella kuqezi e deklarata “o sa bukur me qenë shqiptar”, mund të gjindet në gjumë, duke ditur se Shqipëria, edhe atë armatim të Enverit, e ka konservuar për muze! Po, anëtarë të NATO-s, kjo s’diskutohet, por fjala popullore thotë se si të kruan dora jote, s’të kruan e huaja!…

 (Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 25 Qershor, 2024 20:32