Euorintegrimi, Murtezani takon ambasadorin, Gir

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:15

Euorintegrimi, Murtezani takon ambasadorin, Gir

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, takon euroambasadorin, Dejvid Gir. Avancimi i agjendës evropiane, në fokus të bisedës. Ministri Murtezani shprehet se Qeveria është e gatshme të vazhdojë procesin pavarësisht se kur do të ndodhin ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që vënia e zgjerimit si prioritet jep shpresa për lëvizje të procesit, thotë Murtezani.

“Nëse kjo kombinohet edhe me ambiciet shumë të mëdha të presidencës së Hungarisë, mendoj që krijohen të gjitha parakushtet për një anëtarësim të shpejtë në BE. Presim të vazhdojë puna rreth skriningut dhe post skriningut. Siç e dini raportin e parë të skriningut vetëm se e kemi marrë edhe zyrtarisht. E informova ambasadorin se pritshmëritë tona janë që së shpejti t’i marrin rezultatet e skriningut nga klasterët tjerë. Pavarësisht se kur do të ndodhin ndryshimet kushtetuese, ne nuk kemi kohë për të humbur, andaj administrata duhet të vazhdojë të punojë.”, – deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.

Edhe ambasadori Gir, i gatshëm të zhvillojë raporte të afërta bashkëpunimi edhe në rrafshin ekonomik për të përmirësuar standardin e jetesës.

“E rëndësishme është që procesi i integrimit kalon në majë të agjendës politike. Këtë e thotë Qeveria, ne do ta gjykojmë Qeverinë në atë që bën dhe nëse dëshiron të lëvizë përpara, ne do të jemi tejet solidarë dhe partner të përkushtuar.”, – theksoi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.

Sipas ministrit Murtezani, vendi duhet të përforcojë koordinimin dhe dinamikën e institucioneve që të zmadhohet fuqia absorbuese e fondeve. Qeveria në mbledhjen e parë miratoi informacionin e përgatitur nga Ministria për Çështje Evropiane dhe i angazhoi të gjitha ministritë që deri më 4 korrik t’i dorëzojnë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet, sa i takon avancimit te skriningut. Pasi agjenda të miratohet nga vendet anëtare të BE-së dhe të ratifikohet në Parlament, Maqedonia e Veriut do të fitojë të drejtën e qasjes në fondet në vlerë prej 750 milionë euro.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:15