“Gjyqësori duhet ta kthejë besimin e humbur te qytetarët”

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 18:54

“Gjyqësori duhet ta kthejë besimin e humbur te qytetarët”

Gjyqësori duhet ta kthejë besimin e humbur te qytetarët, përmes reformave dhe zbatimit të përpiktë të ligjeve. Kjo është porosia e përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, të cilët, gjithashtu presin nga qeveria që të ndihmojë në këtë proces, por duke i konsultuar edhe ekspertët. Ambasadorja e SHBA-së në Shkup Angela Ageler, duke theksuar se besueshmëria në gjyqësor është në nivel tronditës, porositi përfaqësuesit e gjyqësorit që të punojnë në mbrojtje të ligjit, integritetit dhe të pengojnë ndërhyrjet politike.

“Maqedonia e Veriut ka ligje të përgatitura mirë, institucione të pajisura mirë, prokurorë dhe gjykatës me përvojë, shumica e të cilave kanë udhëtuar dhe kanë pasur këmbime me SHBA-të. Parashtrohet pyetja se si të fillojmë ta plotësojmë atë hendek apo mungesë të besimit të atyre që duhet t’u shërbejmë. Porosia është qartë dhe nuk ndryshon, punoni punën që duhet ta punoni. Ndiqeni ligjin, punoni për njerëzit, rezistoni ndaj trysnive politike, mbrojeni integritetin tuaj dhe pranojeni transparencën. Puna e vështirë vetëm ka filluar dhe shohim përparim. Tani, lejoni të ju ndihmojmë që të arrini edhe më përpara në rrugën tuaj”, tha Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së në Shkup.

Edhe ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kop nënvizoi nivelin shqetësues të besimit të qytetarëve në gjyqësor, ndërkaq porositi qeverinë që të bëjë mos bëjë reforma të shpejta dhe pa përfshirjen e ekspertëve.

“Reformat duhet të jenë sistemore dhe gjithëpërfshirëse dhe duhet të kenë për qëllim arritjen e standardeve të BE-së, por edhe të mundësojnë gjyqësor funksional, transparent dhe të drejtë. Kjo është ajo që qytetarët e Maqedonisë së Veriut e presin dhe e meritojnë. Dhe kjo është ajo që do ta dërgojë vendin në Bashkimin Evropian”. Qeveria e re dhe Kuvendi kanë detyrë që të fokusohen në prioritetet në sektorin gjyqësor me besim të mirë, qëllime të mira edhe atë me përgjegjshmëri ta punojnë”, u shpreh Dirk Jan Kop, Ambasador i Holandës në Shkup.

Gjyqësori në vend në vazhdimësi ka besueshmëri të ulët për shkak të përzierjes së politikës dhe mungesës së vullnetit për të bërë reforma rrënjësore. Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut nuk ka bërë kurrfarë përparimi në këtë fushë e cila është ndër kryesoret në procesin eurointegrues. Nga ana tjetër, sipas anketës së IRI-t e cila u publikua në maj të këtij viti, 72% e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se korrupsioni është problemi më i madh në vend, ndërkaq ndër më të korruptuar sipas tyre janë politikanët dhe gjyqësori.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 3 Korrik, 2024 18:54