Kroos: Ndeshja ime e fundit? Nuk e ndjej se do të jetë ndaj Spanjës

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 4 Korrik, 2024 10:37

Kroos: Ndeshja ime e fundit? Nuk e ndjej se do të jetë ndaj Spanjës

Spanjë-Gjermani është kryefjala e momentin në EURO2024, me sfidën çerekfinale që do të luhet këtë të premte.

Në Stuttgart do të zbresin 6 trofe europianë, me të dyja ekipet që në fillim të këtij edicioni shiheshin si pretendente kryesore, teksa tani vetëm njëra do të prek fazën gjysmëfinale për të tentuar suksesin në fund.

Në prag të ndeshjes, nga grumbulli ka folur për mediet Toni Kroos, mesfushori gjerman që ka njoftuar edhe tërheqjen nga futbolli pas Europianit.

Shoku i tij te Real Madrid, por që do të jetë kundërshtar mbrëmjen e 5 korrikut, Joselu tha se kjo do të jetë ndeshja e fundit e Kroos, por ky i fundit nuk mendon kështu.

“Jemi në çerekfinale dhe mendojmë vetëm për të triumfuar në fund. Ne kemi një dëshirë të madhe për të ecur përpara dhe jemi të bindur se mund ta bëjmë edhe pse përballë do të kemi një skuadër si Spanja. Ata janë një ekip shumë i mirë dhe besoj se do të jetë një ndeshje e madhe. Joselu tha se kjo do të jetë ndeshja e fundit për mua? E njoh shumë mire, por këtë dëshirë ia lë atij dhe do të bëjmë gjithçka që të mos realizohet. Unë e ndjej se nuk do të jetë ndeshja ime e fundit, ndaj ne do të shihemi sërish” – përfundoi Toni Kroos.

34-vjeçari u kthye në ekipin kombëtar shkurtin e kaluar, teksa pak ditë para finales së Champions League me Real Madridin ai njoftoi se do të mbyll karrierën në përfundim të EURO2024.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 4 Korrik, 2024 10:37