Pozitat drejtuese: Me meritokraci apo “ushtarë partiak”!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:21

Pozitat drejtuese: Me meritokraci apo “ushtarë partiak”!

Analistët dhe organizatat qeveritare kanë ngritur alarmin për mënyrën e emërimit të drejtorëve dhe mos pasjen parasysh të përgatitjes profesionale të drejtorëve. Sipas tyre, çelësi partiak do të zbatohet veçanërisht në emërimin e drejtorëve, zëvendësdrejtorëve dhe sekretarëve shtetëror, siç ka ndodhur në tre dekadat e fundit

Pas emërimit dhe ndarjes së eshalonit të parë dhe të dytë nga Qeveria e re, diskutimet dhe negociatat po zhvillohen për ndarjen e eshalonit të tretë mes partnereve të koalicionit qeveritar. Analistët dhe organizatat qeveritare kanë ngritur alarmin për mënyrën e emërimit të drejtorëve dhe mos pasjen parasysh të përgatitjes profesionale të drejtorëve. Sipas tyre, çelësi partiak do të zbatohet veçanërisht në emërimin e drejtorëve, zëvendësdrejtorëve dhe sekretarëve shtetëror, siç ka ndodhur në tre dekadat e fundit.

Edhe pse partitë vazhdimisht thonë se mbështesin profesionalizimin e sektorit publik, për vite me radhë nuk e kanë miratuar Ligjin për Shërbimin e Lartë Drejtues, i cili propozon përzgjedhjen e kuadrit profesional në agjenci dhe institucione përmes procedurave transparente, ndonëse disa herë janë organizuar debate publike për këtë në Parlament. Ligji është shpallur nga Qeveria e kaluar e LSDM-së së bashku me pakon e disa ligjeve tjera për reformën në sektorin publik, të cilat nuk janë votuar në përbërjen e kaluar parlamentare.

Analisti Blerim Hyseni, për gazetën KOHA, ka deklaruar se duke e parë mënyrën se si u krijua kjo shumicë parlamentare, por edhe veprimet dyjavore lirisht mund të them se edhe sa i përket emërimeve situata nuk është aspak më e mirë. “Personalisht nuk pres të kemi zgjedhje të kuadrove profesional sado që kjo është proklamuar gjatë qëndrimit në opozitë pikërisht nga këto parti politike, kjo për faktin se partitë shqiptare pjesëmarrëse në koalicionin qeveritarë janë katër ndërkohë që kulaçi që kanë marrë nga VMRO-DPMNE, është aq i vogël saqë nuk përjashtohet mundësia që dëshpërimi të jetë shumë i madh. Vlerësoj se partia maqedonase fituese sillet me aq triumfalizëm dhe me aq respekt ndaj partnerit shqiptar saqë vështirë të emërojnë edhe ato funksione që i’u ka ndarë VMRO-ja”, thotë Hyseni.

Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në një deklaratë për media tha se pritshmëria e theksuar në punësim në sektorin publik dhe emërimin e zyrtarëve, ka qenë karakteristikë e pushtetit në dekadat e fundit. “Situata nuk do të jetë ndryshe as me qeverinë e re. Për fat të keq, pritshmëritë janë që edhe tani pozitat drejtuese, të cilat në shumë vende janë pjesë e shërbimit profesional, të plotësohen përmes instrumentit të përkatësisë partiake”, thotë Popoviq.

Gjithsej 1371 institucione, përfshirë ministritë, janë aktive në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut, në të cilin janë të punësuar në mënyrë aktive 128,879 persona, sipas Regjistrit të Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës. Numri arrin në rreth 160 mijë me ata që janë të punësuar me kontratë.

VMRO-DPMNE, e cila formoi Qeverinë e re me partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM , premtoi reformë në sektorin publik dhe profesionalizim të administratës. Ata thanë se do të rrisin efikasitetin e administratës publike duke ulur me 10 për qind numrin e institucioneve publike, por edhe se do të riorganizojnë ministritë. Por në vend të kësaj, pas zgjedhjes së qeverisë së re, kabineti i ri qeveritar mori 20 ministri, katër më shumë se qeveria e mëparshme.

Në fillim të vitit 2020, deputetët diskutuan projektligjin në Kuvend, por ai u kthye për rishikim. Një debat publik për një version të ri të tekstit është mbajtur në MSHIA në vitin 2023, por Qeveria e mëparshme nuk ka marrë vendim për dërgimin e ligjit në Parlament. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Korrik, 2024 19:21