Këshilltari i BDI-së në Veles voton “pro” himnit maqedonas në shkolla

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Korrik, 2024 19:02

Këshilltari i BDI-së në Veles voton “pro” himnit maqedonas në shkolla

Këshilltari i vetëm i BDI-së në Komunën e Velesit, Nevzat Muaremovski ka votuar “për” intonimin e obligueshëm të himnit maqedonas në të gjitha shkollat fillore në Veles. Në votimin e propozimit që dëshmohet dhe përmes video incizimit, Muaremovski voton “për”.

“Kush është për? Konstatoj se me 20 vota “për” u miratua propozimi për intonimin e obligueshëm të himnit të Republikës së Maqedonisë nëpër shkollat fillore të Komunës së Velesit”.

Televizioni Alsat e kontaktoi Muaremovskin. Kërkuam të dimë sqarimin e tij pse votoi propozimin ndaj të cilit doli kundër subjekti të cilit i takon ai. Muaremovski na tha se ka votuar gabimisht.

“Unë kam menduar se është vetëm për shkollat e mesme. Kam bërë gabim”, tha Nevzat Muaremovski, Këshilltar i BDI-së në Komunën e Velesit.

Mbetet e paqartë se si Muaremovski arsyeton votën vetëm për shkollat fillore, duke e parasysh se ai vetë është mësues në shkollën fillore të Buzallakovës, e ndërkohë në Veles ka edhe paralele shqipe nëpër shkollat e mesme, gjimnazin dhe shkollën e mesme ekonomike.

Një ditë më parë, BDI-ja këtë vendim i atribuoi koalicionit VLEN. Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi përmes një reagimi në rrjetin social Facebook ka uruar VLEN-in për këtë të arritur.

“Përderisa z. Taravari deklaroi se nuk e din himnin kombëtar, nga sot në Veles bëhet i obligueshëm intonimi i himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në shkollat fillore! Urime VLEN-it!”, u shpreh Arbër Ademi, Nënkryetar i BDI-së.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Korrik, 2024 19:02