Autizmi mund të diagnostikohet me mostra të fecesit

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 9 Korrik, 2024 12:29

Autizmi mund të diagnostikohet me mostra të fecesit

Studiuesit gjejnë dallime në mikrobiomin e njerëzve me autizëm. Rrriten shpresat për diagnostikim më të shpejtë.

Shkencëtarët kanë rritur shpresat për një lloj testi më të shpejtë e më të lirë për autizmin pasi gjetën ndryshime në mes të mikrobiomit të zorrëve të njerëzve me autizëm dhe atyre që nuk kanë autizëm.

Studimi ka sugjeruar se analiza rutinore e fecesit mund t’u ndihmojë doktorëve që ta gjejnë autizmin më shpejt, gjë që do të thotë se njerëzit do të mund të marrin rezultatin e diagnostikimit shumë më shpejt sesa procedurat e gjata që përdoren aktualisht nëpër klinika, shkruan “The Guardian”.

“Zakonisht duhen 3 deri në 4 vjet për ta konfirmuar autizmin, ku shumica e fëmijëve diagnostikohen në moshën 6-vjeçare. Biomarkerët e mikrobiomit tonë veprojnë më shumë tek fëmijët nën moshën 4-vjeçare, gjë që mund të ndihmojë në diagnostikim të hershëm”, ka thënë profesoresha Qi Su nga Universiteti i Hong-Kongut.

Su dhe kolegët e saj analizuan mostrat e fecesit që i morën nga 1627 fëmijë, që nga mosha 1-vjeçare e deri tek 13 vjeç, disa nga të cilët ishin me autizëm. Ata analizuan mostrat për të parë se cilat baktere ishin të pranishme dhe e bënë të njëjtën gjë edhe për viruset, kërpudhat e mikrobe të tjera që quhen ‘archea’.

Në shkrimin e studimit që u botua në Nature Microbiology, studiuesit shpjeguan se si mikrobet e zorrëve kishin ndryshim në mes të fëmijëve me autizëm dhe atyre pa autizëm. Nga 51 lloje të baktereve, 18 viruse, 14 archaea, 7 kërpudha si dhe dhjetëra rrugë metabolike, dallonin tek fëmijët autikë.

Përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale(AI), shkencëtarët patën mundësi të identifikonin fëmijët autikë me 82 për qind saktësi, duke u bazuar në 31 mikrobe dhe funksione biologjike në sistemin tretës.

“Përderisa faktori gjenetik luan rol të rëndësishëm në autizëm, mikrobiomi i zorrëve mund të veprojë si kontribuues në këtë gjendje duke krijuar imunizim, duke prodhuar neurotransmetues si dhe rrugë metabolike. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht shkaktarin, por sugjeron se mikrobiomi mund të ndikojë në ashpërsinë që ka autizmi ose shprehjen e simptomave të spektrit të autizmit”, ka thënë Su.
Ekipi tani po shqyrton mundësinë se a do të mund të diagnostikohen, përmes mostrave të fecesit, fëmijët që në moshën njëvjeçare.

Doktori, Dominic Farsi, nga kolegji “King’s” në Londër ka thënë se këto gjetje janë shumë domethënëse ndërkohë që duhen bërë studime të tjera në mënyrë që të konfirmohen.

Doktoresha Elizabeth Lund, konsulente e pavarur për shëndetin gastrointestinal ka thënë se idea e analizimit të fecesit për qëllim të diagnostikimit të autizmit, është shumë shpresdhënëse sepse metodat ekzistues janë shumë të gjata.

Vitevete të fundit shkalla e autizmit është rritur kryesisht për shkak të ndërgjegjësimit më të madh dhe zgjerimit të kritereve që përdoren për diagnostikim.

Në Britani dhe në vendet perëndimore, besohet se rreth një në 100 njerëz mendohet të jetë në spektrin e autizmit.

Studimet që janë bërë në binjak, kanë sugjeruar se 60-90 për qind të autizmit është gjenetik, por kontribuojnë edhe faktorë të tjerë, si për shembull mosha më e vjetër e prindërve, komplikimet në lindje, ekspozimi në ajër të ndotur e në disa pesticide gjatë shtatzënësisë.

Shkencëtarët ka kohë që e kanë ditur se njerëzit me autizëm kanë më pak variante të baktereve në zorrë, por nëse kjo është për shkak të autizmit apo nëse autizmi vetëm kontribuon në të, është çështje që duhet diskutuar më tej.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 9 Korrik, 2024 12:29