Digjitalizimi, qëllim strategjik i Qeverisë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:30

Digjitalizimi, qëllim strategjik i Qeverisë

Andonovski paralajmëroi një politikë gjithëpërfshirëse mediatike që do të përmbajë një strategji për zhvillimin e sektorit mediatik në drejtim të gjetjes së kushteve dhe standardeve minimale të përshtatshme për media

 Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski tha se ndarja e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës në Ministrinë e Transformimit Digjital dhe Ministrisë së Administratës Publike ishte e nevojshme dhe se nuk bëhet fjalë për një vendim politik. “Propozuesi i këtij ligji është kryeministri Mickoski, dhe mendoj se në idenë e tij më së miri mund ta shpjegojë arsyen e ekzistimit të këtyre ministrive, por mund t’ju them se që nga nëntori, kur filluam përgatitjen e programit zgjedhor, qëndrimi i tij ishte që administrata të ndahet nga transformimi digjital dhe fokusi të jetë në Ministrinë e Transformimit Digjital, kështu që nuk do të thosha se ishte vendim politik”, theksoi Andonovski.

Ndërkohë, ai shtoi se elementi strategjik që i është dhënë ministrisë së tij kërkon fokus më të madh.

“Ideja jonë ishte që departamentet kyçe, strategjike dhe digjitalizimi të vendoset si prioritet strategjik i kësaj Qeverie, duhet të ketë departamentin e vet në mënyrë që ajo funksionalisht, plotësisht, t’i përkushtohet detyrës që i është dhënë sepse shembujt treguan se që nga bashkimi i administratës me shoqërinë informatike, ato u ndanë në të kaluarën, fokusi u zhvendos ekskluzivisht te administrata. Dhe kjo pjesë e transformimit digjital është neglizhuar”, shtoi Andonovski.

Ai bëri të ditur se deri në shtator do të jetë gati draft versioni i strategjisë së sigurisë kibernetike. “Fokusi ynë duhet të jetë siguria kibernetike për të garantuar besimin në sistemet e IT-së. Strategjia kibernetike kërkon një grup pune ekspertësh nga të gjitha institucionet përkatëse që do të integrojnë ligjin e sigurisë së rrjetit. Deri në shtator duhet të kemi një draft-version të asaj strategjie dhe me këtë të themelojmë një departament të sigurisë kibernetike në kuadër të ministrisë që do të menaxhojë këto procese”, tha ai.

Ndërkaq, në një debat gjithëpërfshirës, ministri tha se do të merrnin zgjidhje ligjore në të cilat shteti do të rregullonte vetëm atë që duhet rregulluar. Ndryshe, në raport me mediat, Andonovski paralajmëroi një politikë gjithëpërfshirëse mediatike që do të përmbajë një strategji për zhvillimin e sektorit mediatik në drejtim të gjetjes së kushteve dhe standardeve minimale të përshtatshme për media. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:30