“Ndryshimet kushtetuese”, Mickoski: A është kjo kërkesa e fundit e Sofjes?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:02

“Ndryshimet kushtetuese”, Mickoski: A është kjo kërkesa e fundit e Sofjes?

Marrëdhëniet e ashpërsuara të Shkupit me dy vendet fqinje kanë marrë një pjesë të vëmendjen në aktivitetet rreth Samitit të NATO-s në Uashington. Në fjalimin e tij në Universitetin Xhon Hopkins në Balltimor lidhur me eurointegrimet, kryeministri Hristijan Mickoski tha se askush nga BE-ja nuk i garanton vendit se Bullgaria nuk do të ketë kërkesa të tjera pas ndryshimeve kushtetuese. Mickoski dhe ministra të qeverisë qëndrojnë në Uashington në Samitin e NATO-s ku po qëndron edhe kryeministri teknik bullgar Dimitar Gllavçev. Për momentin nuk ka njoftim për takim të mundshëm mes tyre.

“Ne nuk mundemi të jemi të gatshëm t’i fillojmë negociatat nëse nuk fusim disa qindra qytetarë në Kushtetutë, që janë pjesë e pakicës bullgare në Maqedoni. Kush mundet të na garantojë neve se kjo është kërkesa e fundit. Në rregull, nuk kemi përgjigje për këtë pyetje”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nuk dihet akoma sa janë gjasat për një takim të Mickoskit edhe me homologun e tij grek Kiriakos Micotakis, i cili po ashtu është në samitin e Uashingtonit, dhe i cili ka paralajmëruar se do të ankohet para vendeve anëtare për mosrespektimin e Marrëveshjes së Prespës. Zyrtarët grek duhet se po shuajnë shpresat, edhe pse Mickoski ishte i gatshëm për takim tet a tet.

“Sigurisht që do të shtrohet edhe çështja e shkeljes së dispozitave bazë të Marrëveshjes së Prespës nga shteti fqinj. Nuk kam dijeni për ndonjë takim të planifikuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Nuk e di nëse do të ndodhë, por sigurisht që nuk ka asgjë të planifikuar nga pala greke”, tha Panos Amiras, Zyra për mediat e kryeministrit grek.

Ky është aktiviteti i parë diplomatik i qeverisë Mickoski i cili në Samit shprehu vazhdimësinë e mbështetjes së vendit për Ukrainën.  /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Korrik, 2024 19:02