Dinamikat e zhvillimeve demografike

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 20:21

Dinamikat e zhvillimeve demografike

Lindshmërinë (fertilitetin) më të lartë në BE e ka Franca me 1.8 fëmijë për grua dhe më të ulëtin Malta me 1,1. Mesatarja në BE është 1.46 fëmijë për grua. Ndërsa Shqipëria e ka normën e përgjithshme të lindshmërisë (fertilitetin) edhe më të ulët, 1.3 fëmijë për grua

Nga Aneta WOLTER

Ndryshimet demografike nuk bien në sy menjëherë brenda harkut kohor të jetës së një brezi. Megjithatë, me një llogaritje të thjeshtë mund të demonstrohet lehtë se sa dramatike mund të jenë ndryshimet e popullsisë së një vendi brenda pak brezave. Këto zhvillime janë kthyer tashmë në një sfidë për shumicën e vendeve të zhvilluara dhe shumë shpejt edhe për Shqipërinë. Meqë ne në Gjermani kemi të dhëna statistikore shumë të sakta, po marr shembullin tonë këtu: 1 000 gra dhe 1 000 burra (pra 2 000 persona) lindin 1 400 fëmijë me normën aktuale të lindshmërisë në Gjermani prej rreth 1.4 fëmijësh për grua. Këto janë 700 burra dhe 700 gra. Nëse këta në mesatare lindin përsëri 1.4 fëmijë, këta lënë gjithsej 980 pasardhës. Brezi i tretë është pra vetëm sa gjysma e brezit të parë! I pesti zvogëlohet në një të katërtën, i shtati në një të tetën e madhësisë fillestare.

Duke qenë se numri i nënave potenciale në çdo brez të ri është më i vogël se në brezin e mëparshëm dhe këto lindin më pak fëmijë se sa do të ishte e nevojshme për të ruajtur popullsinë (që duhen 2.1 fëmijë për grua), popullsia zvogëlohet nga brezi në brez gjithnjë e më shpejt, pasi gratë që nuk janë lindur kurrë, nuk mund të lindin fëmijë. Në një pikë të caktuar ky zvogëlim eksponencial i popullsisë nuk mund të ndalet më, sepse nuk do të ketë më mjaftueshëm nëna potenciale për të ndërmarrë një kthesë. Futemi kështu në një spirale të pandalshme rënëse. Brenda dy brezave, çështja do të jetë e mbyllur”, thotë Harald Michel, drejtori i Institutit për Demografinë e Aplikuar në Berlin. “Një ndryshim atëherë nuk do të jetë më i mundur”.

Lindshmërinë (fertilitetin) më të lartë në BE e ka Franca me 1.8 fëmijë për grua dhe më të ulëtin Malta me 1,1. Mesatarja në BE është 1,46 fëmijë për grua. Ndërsa Shqipëria e ka normën e përgjithshme të lindshmërisë (fertilitetin) edhe më të ulët, 1.3 fëmijë për grua. Po të shikojmë edhe bilancin e lindjeve në Gjermani, pra diferencën e lindjeve përkundrejt vdekjeve, konstatojmë që teprica e fundit e lindjeve ishte në vitin 1971 – dhe që atëherë numri vjetor i vdekjeve e tejkalon çdo vit atë të lindjeve – aktualisht me mbi 200 mijë – duke e bërë këtë bilanc prej vitesh negativ. Shpesh thuhet: “Parashikimet janë gjithmonë të pasigurta”! Demografët nuk bëjnë parashikime, por llogaritje të parapara. Matematika nuk është e korruptueshme: Të gjitha gratë që potencialisht mund të kenë fëmijë në 15 vitet e ardhshme, janë tashmë të lindura. Këtë numër e dimë saktësisht. Nëse marrim normën tonë të përgjithshme të lindshmërisë që ka qenë mjaft stabile që nga vitet 1970 me rreth 1,4 fëmijë për grua, mund të llogarisim edhe numrin e fëmijëve të tyre. Nëse këta lindin po aq pak fëmijë, çka deri tani të gjithë ekspertët e mendojnë, mund të llogarisim edhe madhësinë e brezave të ardhshëm me saktësi. Dhe numrat janë shqetësues”.

Por, cilat janë disa nga pasojat e ndryshimeve demografike? Marrëveshja e brezave për pensionet është njëra prej tyre: Ne edhe sot subvencionojmë sigurimin ligjor të pensioneve çdo vit me më shumë se 100 miliardë euro nga të ardhurat tatimore. Paratë që konsumojnë pensionistët e sotëm duhet të paguhen në të ardhmen nga fëmijët që kurrë nuk lindën! Përveç kësaj, mali i borxheve nga vitet e arta të tashmë nuk do të zvogëlohet automatikisht me popullsinë. Për më tepër, forca jonë inovative do të zvogëlohet. Ata që janë të moshuar zakonisht nuk marrin më rreziqe të reja. Strukturat sociale dhe ekonomike rrezikojnë të goditen rëndë, gjë që deri në vitin 2030 mund të sjell humbje të mirëqenies prej 630 miliardë eurosh, siç ka llogaritur shoqëria këshilluese ‘Korn-Ferry’. Po ashtu, natyrshëm edhe infrastruktura dhe investimet, sistemet shëndetësore dhe arsimore do të jenë në vështirësi, pa dyshim edhe sigurimi i fuqisë punëtore.

Ne e dimë që integrimi i emigrantëve nga Evropa Lindore dhe Jugore funksionoi te ne pak a shumë mirë, por tani pothuajse të gjitha vendet e Evropës kanë vetë probleme me demografinë. Emigrantët e rinj do të duhet të vijnë nga Afrika apo vendet arabe, gjë që sjell edhe sfida të reja për sistemet sociale dhe shoqërore këtu, ndaj specialistët mendojnë se edhe vetëm emigrimi nuk është zgjidhja. Ne kemi ende mjaftueshëm të ardhura, ligje të mirëmenduara, produktivitet të lartë në punë, koncepte e vizione, mbështetje për gratë, përllogaritje dhe monitorime për ndryshimet demografike. Kemi edhe një strategji federale demografike të miratuar që në vitin 2012 si dhe ligjin e ri të emigracionit. Por, deri tani sukseset për demografinë duken të kufizuara dhe jo afatgjata.

Ndoshta, siç theksojnë disa specialistë, me politikat tona duhet të përqendrohemi më shumë te fakti që demografia, pra mungesa e fëmijëve, nuk mund të anashkalohet. E thënë më thjesht: Pa fëmijë nuk ka të ardhme.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 20:21