Miliarda e premtuar u përgjysmua! Mickoski u dakordua me Hungarinë për huamarrje 500 milionë euro

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 21:20

Miliarda e premtuar u përgjysmua! Mickoski u dakordua me Hungarinë për huamarrje 500 milionë euro

Një miliard euro që i paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski u përgjysmuan. Ai dje nga Uashingtoni shpjegoi se me Hungarinë është dakroduar huamarrja, me, siç tha, marrëveshje për bashkëpunim special ekonomik, gjë që e vendos Hungarinë në rendin e partnerëve ekonomik special dhe në të ardhmen Maqedonia përsëri mund të marrë hua nga ky vend.

Sipas tij marrëveshja e tillë për 500 milionë euro do të thotë stabilitet financiar për ekonominë e vendit tonë. 250 milionë euro do të shfrytëzohen për mbështetjen e ekonomisë vendore, ndërsa pjesa tjetër, përkatësisht, 250 milionë eurot e mbetura do të destinohen për projektet e komunave.

Për këtë me reagim doli opozitarja LSDM. Kritikojnë se kushtet në bazë të së cilave është marrë kredia nuk janë të volitshme, por shtojnë se edhe këtë Mickoski e ka dakorduar në katër sy që kur shkonte në takime në Budapest, ndërsa marrëveshja është nënshkruar pa vendim qeveritar, e as ligj të posaçëm për huamarrje që sillet në Kuvend.

Përndryshe Mickoski menjëherë pas fitores së zgjedhjeve, me të madhe paralajmëronte kredinë prej një miliard eurove, për të cilën ekzistonin informacione se është nga Budapesti, por ai nuk dëshironte të zbulojë detaje. Përderisa ishte në opozitë, VMRO-DPMNE-ja kritikonte ashpër pushtetin paraprak se po udhëheq politika të këqija dhe e fut shtetin në borxhe.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 21:20