Incidenti me presidenten e Kosovës dhe ndërhyrja e sigurimit të Gashit – Policia dhe Prokuroria po hetojnë rastin

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 2 Gusht, 2024 20:55

Incidenti me presidenten e Kosovës dhe ndërhyrja e sigurimit të Gashit – Policia dhe Prokuroria po hetojnë rastin

Policia nuk ka version shtesë nga hetimi mbi incidentin e regjistruar ditë më parë në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Alsat.

Sipas versionit të dikasterit të Brendshëm, në momentin kur i është kërkuar të lë celularin për kontroll në skaner, njëri nga sigurimi i saj personal e ka tërhequr të punësuarin e TAV-it për mos t’i penguar presidentes të kalon me celular dhe bagazh dore pa i skanuar.

Më vonë bagazhi është kthyer dhe ka kaluar përmes skanerit. Rasti po hetohet nga Kontrolli i Brendshëm në MPB dhe Prokuroria e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Pas gjysmë ore ka ardhur një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe kanë filluar të kërcënojnë punëtorët e TAV-it dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar probleme presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një nëpunës policor që punonte në pikën kufitare”, thonë nga MPB.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi thotë se sigurimi i tij personal ka ndërhyrë në situatën ku u gjet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për të mos lejuar ndonjë incident diplomatik. Sipas tij, gjithkush që ka tejkaluar kompetencat do të përgjigjet.

“Unë nuk mund të ju tregoj se çfarë ka ndodhur. Kishte qëndrime zyrtare për këtë. Unë ndërhyra vetëm për të mos lejuar një incident diplomatik dhe mendoj se ka përfunduar ashtu siç duhet. Nëse ka pasur tejkalim të kompetencave nga kushdo qoftë ai, sigurisht se duhet të ketë përgjegjësi. Ndryshe nuk ka kuptim shteti ligjor. Sigurimi im ka shkuar për të qetësuar situatën dhe nëse nga kjo qasje dikush shef tendencë ose dëshiron të krijon incident ajo u takon atyre njerëzve”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Versionin e tyre mbi incidentin e dha edhe operatori që menaxhon me Aeroportin e Shkupit.

Nga TAV mohojnë se i punësuarit i tyre ka tentuar t’i merr celularin presidentes së Kosovës, Osmani.

“Telefoni i është kërkuar që të vendoset në skanerin e domosdoshëm të sigurisë. Sipas Programit për sigurinë kombëtare të fluturimeve civile, të gjithë udhëtarët, bagazhet dhe gjërat e tyre personale gjatë fluturimit komercial duhet t’i nënshtrohen protokolleve të sigurisë. Nëse nuk i përmbahemi këtyre rregullave, piloti ka të drejtë ta refuzon pasagjerin. Konventa e Vjenës i liron nga kontrollet e sigurisë vetëm mysafirët e zyrtarë të Qeverisë, ndërsa operatori në atë rast njoftohet zyrtarisht nga Ministria e Brendshme e cila merr përsipër sigurinë e tyre”, thonë nga TAV.

Kabineti i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar si sjellje në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare duke shtuar se ky veprim kishte një tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident.

Sipas versionit të presidencës së Kosovës, zyrtarët e Aeroportit të Shkupit kanë thënë se fluturimi vonohet për shkak se pala Sllovene nuk jep leje aterrimi, por sipas tyre, kjo që është përgënjeshtruar pasi këshilltarët e Osmanit kanë kontaktuar me autoritete sllovene dhe i është thënë se fluturimi mund të realizohet dhe aeroplani ka leje aterrimi në Lubjanë.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka reaguar me vlerësimin se presidentja e Kosovës nga ana e autoriteteve në Aeroportin e Shkupi është trajtuar në mënyrë jodinjitoze./ Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 2 Gusht, 2024 20:55