Kurti e Mickoski, u dakorduan për rritjen e shkëmbimit tregtar mbi gjysmë miliardi euro

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Gusht, 2024 19:05

Kurti e Mickoski, u dakorduan për rritjen e shkëmbimit tregtar mbi gjysmë miliardi euro

Optimizmi i Albin Kurtit gjeti sot mbështetjen e kryeministrit Hristijan Mickoski për vazhdimin e projekteve ndër shtetërore, me synimin e rritjes së shkëmbimit tregtar mes dy vendeve mbi gjysmë miliardi euro, shkruan Alsat.

Kryeministri Kurti tha se ka bazë për tendence pozitive ndërsa Mickoski garantoi para tij ndërtimin e projekteve infrastrukturore disa prej të cilave u vendosën në pikëpyetje muajt e fundit.

“Nuk shoh arsye që shkëmbimi tregtar të mos rritet e posaçërisht me përpjekjet e dy Qeverive dhe me ndërtimin e projekteve infrastrukturore, përfshi këtu autostradën që e lidhë pikën kufitare me kryeqytetin tonë. Pastaj rruga e mundshme që do ta lidh Tetovën me Prizrenin dhe prioritet tjera që janë me rëndësi për të dyja vendet”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Sipas Kurtit, shkëmbimi tregtar që për momentin është gjysmë miliardi euro do të rritej edhe më shumë nëse realizohen projektet infrastrukturore.

“E kemi rritur shkëmbimin ekonomik dhe tregtar në vlerë prej gjysmë miliardi euro dhe në këtë bashkëpunim ka edhe investime reciproke në dyja vendet ndërkohë që ky gjysmë miliardi është në rritje e sipër sepse kemi një trend pozitiv. Maqedonia e Veriut tash e sa vite është vende ku eksportojmë shumë mallra të Kosovës e cila gjithashtu është në rritje. Në këtë dyfishim të eksporteve, një pjesë e madhe i takon eksporteve në Maqedoni të Veriut”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Dy kryeministrat folën edhe për rëndësinë e pikës së përbashkët kufitare në Han të Elezit.

Kurti është kryeministri i parë nga vendet e rajonit i cili viziton Shkupin që nga formimi i Qeverisë së re.

Protokolli i Qeverisë, pak minuta para fillimit të konferencës së përbashkët për media, ndryshoi flamurin të cilin e kishte gabuar. Në vend të atij të BE-së e vendosi flamurin e Republikës së Kosovës. / Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Gusht, 2024 19:05