Atanasovski: Paralajmërimet për destabilizim të mundshëm më shumë përballje politike mes VMRO-së dhe BDI-së se sa kërcënim real

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Gusht, 2024 18:51

Atanasovski: Paralajmërimet për destabilizim të mundshëm më shumë përballje politike mes VMRO-së dhe BDI-së se sa kërcënim real

Politikologu Bllagojçe Atanasovski paralajmërimet e kryeministrit Hristijan Mickosi i vlerëson si serioze, por i sheh si përballje politike mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Ai rikujton se kreu i integristëve, Ali Ahmeti menjëherë pas zgjedhjeve ka paralajmëruar për protesta, ndërkaq nëse të njëjtat shkojnë në drejtim të destabilizimit, duhet që të informohen institucionet kompetente.

“Nëse ato protesta shkojnë në drejtim të shprehjes së qetë dhe demokratike të atyre protestave, ashtu sikur edhe në Maqedoni shohim në 30 vitet e kaluara ka pasur protesta, por edhe në të gjitha shtetet evropiane të civilizuara, ajo është tërësisht normale në luftën politike dhe ashtu duhet të jetë, nëse normalisht janë të qeta ato protesta. Por, nëse shkon në drejtim të një lloj, thënë kushtimisht, destabilizimI të shtetit, çfarë nënkupton ajo?. Nëse nënkupton minim të institucioneve të sistemit, sovranitetit dhe integritetit atëherë mendoj se absolutisht nuk duhet që ajo polemikë të udhëhiqet në bazë të një lufte politike mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Dhe është shumë çështje serioze, pasi në një mënyrë krijohet frikë psikologjike te qytetarët dhe ajo ndikon edhe në ekonomikë dhe biznesin”, tha Bllagojçe Atanasovski, politikolog.

Sipas Atanasovskit, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe do të ishte shumë joserioze të merret me ndonjë luftë politike dhe psikologjike mes partive politike, ku siç thotë ai, do të përhapej frikë mes popullatës.

“Personalisht mendoj se janë deklarata të tepërta në situatë kur tërë bota merret me agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe luftën në Palestinë, Rripin e Gazës, ndodhitë në Lindjen e Afërt. Mendoj se është joserioze ne si anëtare e NATO-s të japim deklarata të tilla, me të cilat mundet thjeshtë të destabilizohet krahu jugor i NATO-s ose rajoni më i gjerë i Ballkanit Perëndimor”, shtoi Bllagojçe Atanasovski, politikolog.

Ndryshe, paralajmërimet për destabilizim të vendit nga ana e udhëheqësisë së BDI-së, vijnë në kohën kur qeveria e re ka paralajmëruar se do të dorëzojë padi për shkeljet ligjore që kanë gjetur nëpër institucione. Nga ana tjetër, BDI vazhdon të kontestojë përfshirjen e VLEN-it në qeveri duke vazhduar me pretendimin se ata janë përfaqësues legjitim te kampi politik shqiptar. BDI, insiston në parimin e pashkruar se fituesi i kampit politik te maqedonasit duhet të koalicionojë me fituesin në kampin politik te shqiptarët. Këtë parim, e ka shkelur vetë BDI në vitin 2016-të, por tani ka propozuar që të bëhet ligj./Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 6 Gusht, 2024 18:51