BDI riaktuelizon temën e vettingut!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Gusht, 2024 19:44

BDI riaktuelizon temën e vettingut!

BDI u bëri thirrje partive politike, veçanërisht atyre në pushtet, që të kërkojnë pa vonesë monitorimin nga bashkësia ndërkombëtare për një vetting gjithëpërfshirës të të gjithë zyrtarëve publikë gjatë viteve të fundit. Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE iu përgjigjen se vettingu nuk do t’i shpëtojë dhe se të gjithë ata që kanë vjedhur do të mbajnë përgjegjësi

BDI u bëri thirrje partive politike, veçanërisht atyre në pushtet, që të kërkojnë pa vonesë monitorimin nga bashkësia ndërkombëtare për një vetting gjithëpërfshirës të të gjithë zyrtarëve publikë gjatë viteve të fundit.

Kështu u tha në mbledhjen e Kryesisë së ngushtë të partisë në përgatitje të mbledhjes së sotme të kryesisë qendrore. Gjatë këtij takimi është diskutuar, siç thonë për propagandën e rreme dhe akuzat për korrupsion në nivele të larta. “Si parti, angazhohemi që lufta kundër korrupsionit të mos kthehet në betejë për interesa të përditshme dhe partiake, por të shërbejë për zbardhjen e së vërtetës dhe parandalimin e këtij fenomeni të dëmshëm. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, veçanërisht atyre në pushtet, që pa vonesë të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare vetting gjithëpërfshirës të të gjithë zyrtarëve publikë në 30 vitet e fundit”, thonë nga BDI.

Ata theksojnë se ky hap është vendimtar për rritjen e transparencës dhe rikthimin e besimit të qytetarëve. Refuzimi i kësaj kërkese urgjente, thonë ata, do të tregonte jo vetëm përdorimin e akuzave të rreme për të mbuluar paaftësinë dhe korrupsionin tuaj, por edhe mungesën e guximit për t’u përballur me të vërtetën për korrupsionin në vend.

Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE iu përgjigjen se vettingu nuk do t’i shpëtojë dhe se të gjithë ata që kanë vjedhur do të mbajnë përgjegjësi.

“Pas kaq vitesh pushtet dhe plaçkitje të shtetit, Ahmeti tani dëshiron të shpëtojë nipërit e tij që u paditën penalisht dhe të gjithë banditët që ishin pjesë e mjedisit të tij personal, dhe që u bënë milionerë me zero kapacitet intelektual dhe zero përpjekje, vetëm me duke vjedhur paratë e njerëzve pse nuk kërkuan vetting kur ishin në pushtet apo atëherë ai i besoi komshiut të tij nga Zajaz, dhe tani kryeprokurorit të krimit të organizuar që e vuri në fuqi me ndihmën e shërbëtorëve të tij nga LSD. A i duhet një vetting për të kuptuar se si u bë milionerë nga askund në botë nga disa qytetarë mesatarë? A i duhet vettingu për të kontrolluar se si Mile Zeçeviq, Zoran Zaev, Venko Filipçe gëlltitën tenderat në REC dhe në shëndetësi? E si kanë punuar Musa Xhaferi dhe Artan Grubi me rrymë dhe nënkontraktorë në rrugët nëpër Maqedoni?”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga VMRO porositin liderin e  BDI-së, Ali Ahmetit, që të mos fshihet pas manovrave të tilla të vettingut. “Është koha për të kontrolluar dhe zbuluar saktësisht se çfarë keni bërë ju dhe të gjithë politikanët, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare dhe partiake. Për këtë nuk duhet asnjë vetting ndërkombëtar. Ka ligje në këtë vend. Këto ligje duhet të zbatohen vetëm për të gjithë në mënyrë të barabartë. Kjo nuk është bërë në kohën tuaj. Nëse do të bëhej, nuk do të thoshit ide të tilla të panikut për vettingun ndërkombëtar. As vetingu nuk do t’ju shpëtojë. Ai që ka vjedhur do të mbajë përgjegjësi. E pyesim Ahmetin se me çfarë flamujsh do të protestojë kur të mbrojë krimin e vet me të gjelbër si partia e të gjelbërve siç u riemëruan para disa vitesh kur thoshin se i zgjidhën të gjitha çështjet etnike këtu, apo me flamujt e BE-së si Fronti Evropian. VMRO-DPMNE i bën thirrje Venko Filipçes që të dalë nga prehri i BDI-së dhe të mos bëjë marrëveshje të errëta me ta që kërcënojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit. Dhe ne i themi Ali Ahmetit se ka një kohë kur gjithçka do të dalë në shesh”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Gusht, 2024 19:44