600 plane urbanistike “të ngecura”! O2: Ndryshimet ligjore janë në favor të investitorëve

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Gusht, 2024 21:09

600 plane urbanistike “të ngecura”! O2: Ndryshimet ligjore janë në favor të investitorëve

Është e turpshme që ndryshimet në ligjin e urbanistikës janë miratuar me procedurë të shkurtuar gjatë pushimeve vjetore dhe pa debat publik, thonë nga nisma qytetare O2. Ministria e Transportit thotë se rreth 600 plane urbanistike janë të ngecura në proces, gjë që vë në pikëpyetje miratimin e tyre dhe realizimin e investimeve kapitale.

“Duket se punohet për të mirën e investitorëve dhe objekteve, që të sillen sa më shpejt plane të detajuara urbanistike që janë të ngecura në procedurë. Nëse ka pasur një problem dhe nuk mund të miratoni një plan urbanistik të detajuar për katër vjet sipas ligjit të vjetër, çfarë jua jep të drejtën për të zgjatur afatin, pra, duhet të kthehet dhe të përpilohet sërish”, tha Tatjana Stojanovska – Nismë O2.

Stojanovska thekson se ndryshimet në ligj bëhen shumë shpesh. Ndryshimet nuk i lidh me ndryshimet e Qeverive, por me investitorët dhe dëshirat e tyre.

Tatjana Stojanovska, Nismë 02

“Ne u lejojmë kompanive që merren me urbanizëm, përkatësisht me ndërtim, të na krijojnë ligje, pavarësisht për cilën qeveri bëhet fjalë. Përpjekje për ndryshim të këtij neni kishte edhe në qeverinë paraprake. Ne u mundësuam biznesmenëve që ndërtojnë ta realizojnë atë që e kanë planifikuar e jo atë që është për të mirën e urbanizmit në vendin tonë”, shtoi Tatjana Stojanovska – Nismë O2.

Nga Ministria e transportit thonë se me ndryshimet lehtësohet ndërtimi i shkollave, çerdheve, spitaleve, ambulantëve dhe garazheve me kate me qëllim lehtësim të jetës së qytetarëve.

“Për shkak të numrit të madh të problemeve me të cilat përballen qytetarët dhe komunat gjatë sjelljes së planeve urbanistike ku interesi publik u trajtua njëjtë me interesin privat dhe shpeshherë ishte peng i interesave private, me ndryshimet e ligjit për herë të parë në shtet, interesin publik e vendosim në plan të parë”, thonë nga Ministria e Transportit.

Përndryshe kjo zgjidhje ligjore ka pësuar më shumë ndryshime. Deputetët vazhdimisht pohojnë se ndryshimet janë në drejtim të cilësisë së jetës, por realiteti është se ndërtohet pa plan, duke i shndërruar vendbanimet në xhungla prej betonit.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 9 Gusht, 2024 21:09