Maqedonia e Veriut po përballet me të nxehtin afrikan, Kryqi i Kuq nxjerr ekipet mobile në vendet e frekuentuara me qytetarë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Gusht, 2024 20:53

Maqedonia e Veriut po përballet me të nxehtin afrikan, Kryqi i Kuq nxjerr ekipet mobile në vendet e frekuentuara me qytetarë

Maqedonia ka hyrë në fazën portokalli për shkak të valës afrikane, e cila ka sjellë temperatura jashtëzakonisht të larta, duke kaluar 40 gradë Celsius.

Pavarësisht kësaj, qytetarët theksojnë se detyrat e përditshme duhet të kryhen, edhe pse nën këto kushte të rënda të nxehtësisë.

“Më duhet patjetër të dal, për shkak të barnave.”

“Kur duhet të bëj pagesën e llogarive, patjetër duhet të dal.”

“Tërë ditën jemi këtu. Dikush shkon në mal, dikush këtu”

“Lëvizim nëpër qendër. Obligimet duhet të kryhen.”

“Kush nuk ka kondicioner hap dyer e dritare, është shumë nxehtë. Ja sot 39-40 gradë, nuk di çfarë do të bëhet. I respektojmë rregullat, konsumoj lëngje, nuk dal në orët e pikut, kontrolloj tensionin.” – ishin këto deklaratat e disa prej qytetarëve të intervistuar nga TVM2.

Kryqi i Kuq, ekipe mobile në vendet e frekuentuara

Ekipet mobile të Kryqit t ë Kuq do të jenë të pranishme në zonat më të frekuentuara, të gatshme për të ofruar ndihmën e parë për ata që kanë nevojë për ujë, lëngje, suplemente shtesë apo matje të tensionit.

“Ato janë ekipe mobile, janë persona me automjete, vullnetarë, paramedical, persona nga logjistika, të cilët në njëfarë mënyre lëvizin në vendet më të frekuentuara të qytetit.” – tha Suzana Tuneva nga Kryqi i Kuq.

Shoqata për Siguri në Punë ka bërë thirrje që punëdhënësit të përshtatin oraret dhe kushtet e punës sipas nevojave të punëtorëve, duke theksuar se biznesi mund të mbijetojë në kushte ekstreme, por jo me koston e shëndetit të punëtorëve.

“Nëse atij punëtori të cilin e kanë dërguar të punojë në temperatura ekstreme, i bie të fikët, ose mund të vijë në një farë forme të zhvillojë karcinom të lëkurës, atëherë do ta humbni atë në gjysmën e kohës së caktuar kur duhet përfunduar puna. Dhe nëse kjo ndodh cila është strategjia e përfitimit.” – deklaroi Kryetari i Shoqatës për mbrojtje gjatë punës, Millan Petkovski.

Petkovski ka apeluar që të respektohen rekomandimet e qeverisë për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat ekstreme. Ndërkohë Administrata për Çështje Hidrometeorologjike njofton se nga mesi i javës pritet një ftohje e lehtë, me reshje shiu, bubullima dhe në disa zona të caktuara edhe breshër. /TVM2

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Gusht, 2024 20:53