Zjarri në Zajaz të Kërçovës përsëri aktiv
Pasi mbrëmë u shua zjarri, sot përsëri është aktiv zjarri mbi fshatin Zajaz të Kërçovës, kumtoi pasditen e sotme drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) Stojançe Angellov.
“Zjarri për të tretën ditë atje është aktiv edhe pse sot ishte qetë, tani është përsëri aktiv. Po digjen pisha, këtu në terren janë zjarrfikës nga Kërçova dhe 30 pjesëtarë të Armatës. Nuk ka kushte për shuarje nga ajri, sepse nuk bie në zjarret e rënda dhe prioritare dhe terreni është i kapshëm për shuarje nga toka”, tha ai.
Angellovi mëngjesin e sotëm apeloi deri te qytetarët që të paraqesin çdo lëvizje të dyshimtë nëse vërejnë zjarrvënës, ndërsa nëse kanë frikë të telefonojnë personalisht, le t’i tregojnë ndonjë fqiu, polici, punonjësi të QMK-së.
“Apeloj për vigjilencë të madhe. Zjarri nuk është naiv, edhe në deponi apo në bar të thatë, ai mund të arrijë shpejt në pyll ose të kërcënojë jetën e njerëzve. Lufta kundër këtyre zjarrvënësve duhet të jetë e ashpër, duhet të kundërpërgjigjemi ashpër, sepse parandalimi është mënyra më e mirë. Pastaj kur të ndëshkohen, atëherë do të jenë të kujdesshëm. Nuk ka asnjë justifikim për një sjellje të tillë joserioze. Do të kërkoj ndryshime shtesë ligjore për dënime të rrepta për sjellje të tilla që rrezikojnë jetë njerëzore dhe shpenzojnë burimet shtetërore”, tha Angellovi.
Në seancën e sotme qeveritare është vendosur që masat parandaluese për shkak të valës së të nxehtit të vlejnë edhe nesër. Kjo do të thotë se rekomandohet lirimi nga detyrimet e punës për grupet më të prekura të popullatës: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, si dhe punëdhënësit të riorganizojnë aktivitetet rreth punës së punëtorëve të ndërtimit dhe atyre që punojnë në ambient të hapur, duke shmangur kryerjen e aktiviteteve ndërtimore dhe punëve të tjera në periudhën nga ora 11 deri në orën 17:00.
Në kopshte të mos praktikohet aktiviteti fizik dhe të mos nxirren fëmijët në ambient të hapur mes orës 11:00 dhe 17:00.
“Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i kuq dhe Qendrat për çështje sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit duhet të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuarit, të pamundurit dhe të pastrehët”, rekomandojnë nga Qeveria.