Fëmijët dhe të  rinjtë – Shteti s’ka informacion për sigurinë në internet

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 15 Gusht, 2024 19:56

Fëmijët dhe të  rinjtë – Shteti s’ka informacion për sigurinë në internet

Shteti nuk ka informacione për situatën e sigurisë kibernetike, madje as në mesin e fëmijëve dhe të rinjve. Sipas ministrit për Transformim Dixhital Stefan Andonovski, kjo është shqetësuese.

Andonovski nënshkroi sot memorandumin me ambasadorin e BE-së në Shkup Dejvid Gir, për formimin e Qendrës nacionale për siguri në internet e cila në 18 muajt e ardhshëm do ta ketë për detyrë të përmirësojnë njohuritë për siguri kibernetike në radhët e fëmijëve dhe të rinjve.

Projekti realizohet me 650 mijë euro ndihmë nga BE-ja dhe rreth 850 mijë euro nga buxheti i shtetit.

“Projekti ka më shumë elemente. Njëri element është linjë për mbështetje në të cilën të rinjtë do të mund të komunikojnë gjatë ndonjë përmbajtje jo të mirë në internet ose ndonjë përmbajtje të kategorisë së keqpërdorimit kibernetik. Ajo qendër për mbështetje do të shkojë nëpër shkolla, do të bashkëpunojë me shoqëritë civile, me të rinjtë në punëtori dhe do t’i mësojë se si të mbrohen. Në punëtori do t’i mësojë të rinjtë se çfarë është e vyeshme në internet dhe si të shmangin informacionet që nuk duan t’i shohin. Njëra nga të dhënat shqetësuese është se nuk kemi informacione të mjaftueshme se si është gjendja me të rinjtë në internet. Informacionet vinë vetëm nga institucionet ku ndonjë i ri do të paraqesë se ka ndonjë kërcënim ose ndonjë veprim kriminel në Ministrinë e Brendshme. Përveç këtyre të dhënave në MPB, ne nuk kemi të dhëna se me çfarë niveli të dhunës ose të maltretimeve kibernetike përballen të rinjtë”, tha Stefan Andonovski, ministër për Transformim Dixhital.

“Qëllimi i projektit “mksafenet” është të inkurajojë individët, veçanërisht fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësimdhënësit të njohin rreziqet online dhe të kuptojnë opsionet për t’i paraqitur dhe për të marrë mbështetje, të promovojë edukim dixhital, veçanërisht nëpërmjet punëtorive, vizitave në klasa, garave, etj”, u shpreh Dejvid Gir, ambasador i BE-së./ Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 15 Gusht, 2024 19:56