Madonna ndan fotografi të rrallë bashkë me 6 fëmijë

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 20 Gusht, 2024 16:47

Madonna ndan fotografi të rrallë bashkë me 6 fëmijë

Këngëtarja me famë botërore, Madonna, e cila ditë më parë ka festuar ditëlindjen e 66 në Itali, po vazhdon të ndajë fotografi nga festimet e gjata që bëri atje.

Në një postim në llogarinë e saj, në rrjetin social Instagram ajo ka ndarë një fotografi të rrallë ku shihet në mes të gjashtë fëmijëve të saj, Lourdes Leon, 27 vjeçe, Rocco Ritchie, 24, David Banda, 18, Mercy James, 18 dhe binjaket Stella e Estere nga 11 vjeçe, shkruan ENews.

Në festën që organizoi këngëtarja në Teatro Grande, ishin edhe miq të ngushtë të saj si Steve Klein, James Vu Pham, Danielle Sibilli, Luigi Murenu, Iango Henzi, si dhe të dashurin e saj të ri, që është raportuar të jetë sportistin Akeem Morris.

Fituesja e shtatë çmimeve “Grammy” ka ndarë shumë fotografi nga festa e 19 gushtit, duke shkruar “La Dolce Vita” (jeta e ëmbël).

Në njërën nga fotografitë në postimin e saj shihej Madonna e veshur një fustan me dantellë të bardhë pranë gjashtë fëmijëve.

Fotografi të tilla, ylli nuk kishte postuar që nga festa e falënderimeve në vitin 2022.

Por, këngëtarja nuk është e vetmja anëtare e familjes që së fundmi pati ditëlindjen. Siç shihet në postim, ajo ka bërë edhe një tjetër festë për të festuar për Roccon, të cilin e ka me ish-burrin, Guy Ritchie. Ai më 11 gusht mbushi 24 vjeç, vetëm pesë ditë para nënës.

Për ditëlindjen e djalit, krijuesja e hitit “Like a Prayer” befasoi Roccon me një ëmbëlsirë tiramisu të madhe.

Binjaket, motrat e tij, gjithashtu ishin të pranishme në festën që organizoi nëna për të, duke pozuar me veshje të kombinuara me ngjyra bardh e zi në një ballkon që kishte pamjen nga deti.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 20 Gusht, 2024 16:47