S’ka hapësira, Reali mund ta huazojë Endrickun

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 21 Gusht, 2024 12:44

S’ka hapësira, Reali mund ta huazojë Endrickun

Real Madridi “vuri bast” me një tjetër lojtar brazilian pas Rodrygos e Viniciusit, duke e transferuar Endrickun për 35 milionë euro plus 25 të tjera nga bonuset.

Futbollisti e dinte që, siç raporton mediumi “Sport”, në Spanjë me “Los Blancos” gjërat nuk do të ishin të lehta dhe tashmë është i vetëdijshëm se për të gjetur hapësirë me “Merengues” është vërtet e komplikuar, pasi përpara tij e ka një hierarki që e përfshin dyshen Brahim Diaz e Arda Guler.

Carlo Ancelotti nuk ia ka dhënë ende asnjë minutë dhe ky aspekt nuk i ka pëlqyer shumë djaloshit, i cili ka nisur të mendojë edhe për të ardhmen e tij.

Në fakt, ai është duke i shqyrtuar mundësitë të transferohet në formë huazimi në janar nëse nuk luan aq sa kishte pritur dhe shpresuar.

18 vjeçari ka nevojë për minuta në këmbët e tij për t’u rritur, për t’u zhvilluar dhe për të bërë përvojë në futbollin evropian.

Në karrierën e tij, Endrick i numëron “vetëm” 16 paraqitje dhe 9 gola me Palmeiras U-20 dhe 82 ndeshje dhe 21 gola me Palmeiras.

Ka debutuar tashme me Brazilin, me të cilin ka zbritur në fushë 10 herë, duke i realizuar njëherësh 3 gola.

Ndërkohë, i numëron 7 ndeshje dhe i ka shënuar 2 gola me U-23 të Brazilit dhe i ka zhvilluar 4 ndeshje dhe i ka bërë 5 gola me U-17.

Përkundër moshës së re, ai tashmë e ka fituar si profesionist një Superkupë të Brazilit, dy kampionate braziliane dhe një Superkupë të Evropës.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 21 Gusht, 2024 12:44