Gündogan: Nëse largimi im e ndihmon Barçën financiarisht, do të ndihem më pak i trishtuar

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 23 Gusht, 2024 13:36

Gündogan: Nëse largimi im e ndihmon Barçën financiarisht, do të ndihem më pak i trishtuar

Ilkay Gündogan tashmë është larguar nga Barcelona. Mesfushori gjerman i ka dhënë lamtumirën skuadrës katalanase sot, përmes rrjeteve sociale. Futbollisti rikthehet te Manchester City i Guardiolës, klubi nga i cili iu bashkua Barçës verën e kaluar. Mesfushori 33-vjeçar siguroi se largohet mirënjohës dhe i kënaqur me përvojën që pati sezonin e kaluar me fanellën blaugrana, edhe pse i trishtuar në një aspekt.

Ai kishte një vit më shumë në kontratën e tij, plus një vit tjetër opsional, por entiteti “culé” i kërkoi të largohej për ta lehtësuar financiarisht klubin. Gündogan, i cili pak ditë më parë njoftoi gjithashtu se po largohej nga kombëtarja gjermane, luajti 51 ndeshje me fanellën e Barçës, në të cilat dha 14 asise dhe shënoi 6 gola.

Kjo është deklarata e lamtumirës së Gündogan:

“Të dashur katalanas, pas një viti është koha për të thënë lamtumirë. Erdha këtu për të përjetuar një sfidë të re dhe emocionuese, isha gati për të. Kam dhënë gjithçka për ekipin dhe klubin, i kam përfaqësuar këto ngjyra në mënyrën më të mirë të mundshme, në një sezon të vështirë.

Mezi prisja t’i ndihmoja shokët e skuadrës edhe sezonin e ri. Tani po largohem në një situatë të vështirë, por nëse largimi im mund ta ndihmojë klubin financiarisht, po largohem më pak i pikëlluar. Megjithatë, ka qenë një skenë me eksperienca të pabesueshme, me ulje-ngritje.

Gjithmonë kam dashur të luaj për Barçën dhe jam shumë mirënjohës për këtë kujtim dhe përvojë, që do ta mbaj mend për gjithë jetën. Ju uroj më të mirat për sezonin dhe të ardhmen! Tifozët katalanas e meritojnë që ky klub i madh të jetë sërish ndër më të mirët në botë.

Forca Barça!

Urimet më të mira, Ilkay”.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 23 Gusht, 2024 13:36