Poetë të shumtë nga vendi dhe të huaj marrin pjesë në mbrëmjet strugane të poezisë
Njëzet e pesë poetë të huaj dhe pesëdhjetë nga Maqedonia e Veriut do të jenë pjesë e mbrëmjeve strugane të poezisë, shkruan Alsat.
Manifestimi do të mbahet deri të dielën kur laureatit të këtij viti, poetit francez, Zhan – Pjer Simenon, do t’i jepet zyrtarisht çmimi i Kurorës së Artë.
“Në dekadat e fundit, “Mbrëmjet strugane të poezisë” kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ndjenjës së nevojës për mesazhet e poetëve nga të gjithë meridianët, në misionin për të njohur dhe bashkuar popujt, letërsitë dhe kulturat e botës. Në mesazhin e tij, laureati thotë: “Poezia është në fakt mbrojtja e mbarë njerëzimit kundër atyre që zotërojnë dhe sundojnë botën. Një botë që është e mbushur me vrasje, masakra, shkatërrime çdo ditë”, tha Vele Smileski – poet.
“Lirisht mund të themi se kjo ngjarje ka rëndësi globale, është e respektuar dhe e verifikuar nga publiku kulturor botëror. Vazhdimisht, për gjashtëdhjetë e tre vjet, poetë nga e gjithë bota, këtu, në Strugë, përcjellin bukurinë e fjalës së shkruar dhe me një zë të vetëm harmonik, i dërgojnë botës një mesazh të qartë – se nuk ka gjuhë të vogla e të mëdha, gjuhët, kulturat e vogla dhe të mëdha”, u shpreh Zoran Ljutkov – Ministër i Kulturës.
Fillimi i festivalit u shënua me leximin e poezisë “T’ga za jug” nga Konstantin Milladinov në maqedonisht, shqip dhe frëngjisht.
Me rastin e 200 vjetorit të kodifikimit të shkrimit të Brajit, për herë të parë “T’ga za jug” u lexua nga Beira Salifoska./ Alsat.mk