Shtatori po vjen, Shkupi vazhdon të jetë i mbuluar nga mbeturinat e pa transport publik!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 23 Gusht, 2024 19:09 Përditësuar

Shtatori po vjen, Shkupi vazhdon të jetë i mbuluar nga mbeturinat e pa transport publik!

Kjo është një pamje me dy shqetësimet tanimë një kohë të gjatë të banorëve të Shkupit. Mbeturinat dhe transporti publik janë shndërruar në ankth për qytetarët.

Pritja në stacion për autobusët që nuk vinë çdo ditë e vështirëson jetën e qytetarëve, e sidomos të të moshuarve të cilët në të shumtën e rasteve shkojnë për të bërë kontrolle në spital apo për të bërë pazarin. Njëri ndër ta ishte edhe një i moshuar që priste autobusin për në Çuçer Sandevë e më pas të pres ndonjë udhëtar rasti që ta dërgojë në Bllacë ku edhe jeton.

“Presim por nuk vjen, s’ka autobusë për në Bllacë, jam nga Bllaca. Gati gjashtë muaj nuk vjen hiç.” Ku ishe në pazare? Po, në pazare e tani e pres 61-shin, 71 – shin dhe pastaj në këmbë deri në Bllacë ose ndonjë veturë kush të na merr. Në këmbë larg është s’mund të shkoj, duhet tre orë. E pres autobusin për në Sandevë e pastaj të pres ndonjë veturë që shkon andej, kemi mbete katastrofë. Nuk vjen atje autobusi, në Sandevë shkon, në Kuçevishtë shkon ndërsa në Bllacë nuk vjen, nuk e di përse ne një shtet jemi”, tha një qytetar.

Përveç këtij të moshuari, fatin e njëjtë e ndajnë edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët detyrohen të presin shumë kohë për autobusë.

“Ju e shihni vetë si është me autobusët, më së paku 20 minuta vonohen, unë udhëtoj të martën dhe të premten por çdoherë kështu është, situata nuk është e mirë, ku është faji nuk e di a të kryetari a të ne. Unë jam nga Saraji dhe e pres dyshin, por vonohet shumë, më së paku 40 minuta vonohet”, u shpreh një qytetar.

“Shumë e vështirë, vonohen, nuk ka në kohë, nuk e di çfarë do të bëjmë kështu”, theksoi një qytetar.

“Shumë vonesa ka, pritje ka shumë në të gjitha linjat, tani e 20 minuta e presh gjashtëmbëdhjetën ende nuk ka ardhur ndërsa ky i nxehtë nuk durohet, patjetër të rregullohet kjo çështje”, tha një tjetër qytetar.

Deri në fillimin e vitit të ri shkollor kanë mbetur edhe rreth një javë kur pritet që rrëmuja e vërtetë të filloje me transportin publik në Shkup.

Deri më datë 29 gusht mbetet të shihet se çfarë do të vendoset në këshillin e Qytetit të Shkupit i cili është paraparë pikërisht për këto dy çështje, të cilat po rëndojnë jetën e qytetarëve, pra transporti urban dhe mbeturinat. / Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 23 Gusht, 2024 19:09 Përditësuar