Broja në garë me kohën, problemet me tendinën e Akilit stepin skuadrat e interesuara

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 26 Gusht, 2024 13:38

Broja në garë me kohën, problemet me tendinën e Akilit stepin skuadrat e interesuara

Armando Broja është në garë me kohën. Kur jemi futur në ditët e fundit të merkatos, e ardhmja e sulmuesit tonë kuqezi është ende në udhëkryq.

Në mënyrë të befasishme transferimi i Brojës tek Ipswich Town dështoi, ku shkaku kryesor sipas mediave në ishull u bë problematikat e shtatëlartit të kombëtares tonë në tendinën e  Akilit, të cilat u konstatuan gjatë vizitave mjekësore. Klubi i Ipswich kërkoi ulje të vlerës për transferimin e Brojës, pas konstatimit të këtij fakti, por londinezët e Chelsea-t refuzuan në mënyrë kategorike, duke bllokuar në këtë mënyrë realizimin e këtij transferimi.

Në këto kushte, për shkak të këtij problemi, po sipas mediave britanike, edhe skuadrat e tjera të interesuara mbi të gjitha Everton janë të stepura dhe në pritje për të mësuar më shumë mbi gjendjen e Armando Brojës. Nëse edhe Çelsi nuk e merr në konsideratë uljen e vlerës për shitjen e Brojës, atëherë me shumë gjasa edhe këto klube mund të dalin nga gara për sulmuesin e kombëtares tonë.

Enzo Maresca tekniku i “Bluve” nuk e ka Brojën pjesë të planeve të tij për sezonin e ardhshëm, ndaj në këto kushte Broja dhe agjenti i tij duhet të nxitojnë për të gjetur në këto ditë të fundit të merkatos një skuadër të re për t’u transferuar.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 26 Gusht, 2024 13:38