Haaland rikthehet në “përbindësh”: Mezi e prisja

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 26 Gusht, 2024 13:40

Haaland rikthehet në “përbindësh”: Mezi e prisja

Erling Haaland shënoi tregolëshin e parë këtë sezon në javën e dytë të Premier Ligës kundër Ipsuiç Taunit, e cila ndihmoi për të përmbysur “Tractor Boys”, që kishin kaluar që në minutën e shtatë në avantazh me Szmodiks.Kampionët e Anglisë, që panë t’u rikthehej në fushë edhe ish-kapiteni Ilkai Gyndoan, pasi kompletoi transferimin e tij në “Etihad” një vit pasi u largua drejt Barcelonës, morën fitoren e dytë në po kaq javë të kampionatit.

Për Halandin ishte tripleta numër 10 me fanellën e “qytetarëve” dhe e 23-ta në karrierën e tij. Ndërkohë që golin tjetër për skuadrën e Guardiolës e shënoi Kevin de Bryjne. Edhe për mesfushorin belg ishte një shifër jubilare, ndërsa shënoi golin e 150-të në karrierën me Sitin. “Ishte ndeshja e parë e sezonit në shtëpi, kështu që të gjithë e prisnim me padurim.

Jam i lumtur që e nis në këtë mënyrë. Ne u përpoqëm të shënonim edhe një gol, por nuk ndodhi deri në fund. Jemi të kënaqur me fitoren dhe kjo është ajo që është e rëndësishme”, tha sulmuesi norvegjez. Ai komentoi edhe Savinjon, talentin që i është shtuar këtë sezon “qytetarëve”, i cili po ambientohet shumë mirë me skuadrën e re. “Ai ka qenë i mahnitshëm deri tani.

e jemi shumë të lumtur për këdo që kemi në skuadër dhe të gjithë që vijnë”. Dhe në fund edhe komenti për rikthimin e Gyndoanit: “Unë e pash dje në dhomën e trajtimit. Ishte normale ta shikoje. Është bukur që e kemi sërish. Ai është një futbollist i mrekullueshëm dhe unë mezi pres që të luaj sërish me të”.

STATISTIKAT – Kjo ishte hera e parë që Mançester Siti hodhi në fushë një formacion të pandryshuar nga ndeshja e fundit që prej marsit 2022 kundër Kristal Palasit. Secila nga katër goditjet e para të kësaj ndeshjeje përfundoi në rrjetë, duke bërë që kjo të ndodhë për herë të parë në një ndeshje të Premier Ligës që prej 2006-07. Të shtatë tipletat e Halandit në Premier Ligë janë shënuar në “Etihad”.

Vetëm Tieri Henri ka shënuar më shumë në këtë kompeticion, ndërsa 100% e tyre (8) kanë qenë në të njëjtin stadium (Highbury). De Bryjne ka shënuar dhe asistuar në 26 ndeshje të Premier Ligë, më shumë se çdo lojtar tjetër i Mançester Sitit në kompeticion. Ndërsa vetëm Mohamed Salah (32) ka bërë më shumë që prej debutimit të mesfushorit belg në Premier Ligë me Sitin, në shtator 2015.

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 26 Gusht, 2024 13:40