Ky është plani i VMRO-së për lirimin e terroristëve të 27 prillit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 29 Gusht, 2024 19:41

Ky është plani i VMRO-së për lirimin e terroristëve të 27 prillit

Edhe pse për momentin nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për të dënuarit që sulmuan Parlamentin shtatë vite më parë, tashmë hapur po kalkulohet që të përsëritet gjykimi me prova dhe dëshmi të rreme. Në ndërkohë, edhe pse të dënuar për “terrorizëm”, disa nga të dënuarit janë jashtë burgut

Nga dhjetëra persona të dënuar për “terrorizëm”, konkretisht për sulmin ndaj deputetëve më 27 prilli 2017, të cilët shfrytëzuan një pushim 30-ditor në muajt korrik-gusht për arsye shëndetësore, pesë prej tyre kërkuan pezullim të vuajtjes së dënimit nga gjykata. Tre prej tyre po vazhdojnë të shijojnë lirinë edhe për një muaj, ka konfirmuar Gjykata Penale për Radion Evropa e Lirë. Më 25 gusht, në polici është dorëzuar Dejan Davidovski – Desho, i dënuar për sulm në Parlament shtatë vite më parë, i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar. Davidovski është dorëzuar në vendkalimin kufitar “Deve Bair”, pas arratisjes shtatëvjeçare. Davidovski u arrestua pesë vjet më parë në Suedi, por më vonë u lirua pasi Suedia refuzoi kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e tij.

Ngjarjet për të cilët akuzohen të dënuarit njihet edhe si “E enjtja e Përgjakshme”, ndërsa tashmë është hapur pyetja nëse po përgatitet terreni që ata të dalin nga burgu para vuajtjes së dënimit. Megjithatë, ka plane të ndryshme se si do të realizohet lirimi i tyre? Sidomos pasi VMRO-DPMNE në pushtet dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në fushatën para zgjedhjeve të majit, thoshin se të akuzuarit për terrorizëm të 27 prilli nuk janë terroristë dhe se duhet të ketë drejtësi për ta.

Janë 16 persona në burg, të dënuar nga 7 deri në 16 vite burg për vepër penale “Akte terroriste dhe rrezikim të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Dënimin më të lartë prej 16 vitesh e ka marrë Mitko Chavkov, ish-drejtor i Byrosë për Siguri Publike (PJB), i cili atëherë kishte “komandën e artë” për protestat para Parlamentit.

Ndryshe, akti terrorist, sipas Kodit Penal, bën pjesë në grupin e krimeve kundër rendit dhe qetësisë publike. Nga ana tjetër, rasti “27 Prilli” është përkufizuar si “Kanosje terroriste ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, që dallon nga terrorizmi dhe është në grupin e krimeve kundër shtetit. Aleksandar Pandov, drejtor i Drejtorisë për zbatim të sanksioneve në burgje, në fund të korrikut ka nënshkruar vendimin për pezullim, konkretisht për lirimin prej 30 ditësh të dënimeve për disa nga personat e dënuar më 27 prill, ndërsa u arsyetua se të njëjtit duhet të trajtohen më mirë. “Kam firmosur mbi dhjetë miratime, jo vetëm për ta, por edhe për persona të tjerë. Më shumë se gjysma e tyre morën pezullime gjyqësore nga një muaj, dy, disa edhe tre muaj. Çdo kërkesë e vetme që ka ardhur ka qenë për shkak të një problemi akut shëndetësor – disa me shtyllën kurrizore, disa me gju, disa me zemër… Disa nga ata persona kanë dëmtuar rëndë shëndetin për shkak të qëndrimit në qendrën e paraburgimit në Shutkë dhe kushtet çnjerëzore atje”, tha Pandov për Radion Evropa e Lirë (RSE).

Gjykata Penale konfirmoi se pesë persona të dënuar për ngjarjet e 27 prillit i kërkuan gjykatës pezullimin e dënimit. Gjykata lejoi që tre të liroheshin për një muaj secili. Për një të dënuar zgjidhja është në fazën e përgatitjes dhe një prej kërkesave është refuzuar për mungesë dokumentacioni. Nga burgu i Shtipit, nga ana tjetër, thonë se gjashtë persona kanë marrë pushim në vuajtjen e dënimit për arsye mjekësore. Dy prej tyre, Aleksandar Janevski – Toshta dhe Jane Çento, i dhanë fund pushimit në liri dhe u kthyen në burg më 14 gusht. Sipas informacioneve që ndanë për RFE, drejtori i burgut të Shtipit, Dejan Zdravkov, me vendim të gjykatës iu është vazhduar pushimi Mitko Çavkovit (deri më 21 nëntor), Mitko Peshovit (deri më 16 nëntor), Oliver Popovskit (deri më 22 nëntor) dhe Dushko Lazarovit (deri më 25 shtator).

Pandovi i Drejtorisë për zbatim të sanksioneve në burgje pret që çështja e të dënuarve për 27 prillin “të zgjidhet” në shtator-tetor.

“Ata u dënuan për terrorizëm dhe fillimisht u trajtuan si terroristë. Nëse ata ishin vërtet terroristë, si u lejuan të dilnin në fundjavë? Problemin e tyre e perceptoj si problem të shtetit dhe ai episod fatkeq do të përfundojë”, thotë Pandov. VMRO-DPMNE ndërkohë e përsërit qëndrimin se “i gjithë rasti është mjegullnajë juridike dhe bazohet në motive politike, në vend të argumenteve juridike”. “Ajo që sigurisht ndryshon nga LDSM dhe BDI është se VMRO-DPMNE kërkon drejtësi sepse të dënuarit padrejtësisht u dënuan. Kujtojmë se tashmë ka një vendim të gjykatës nga Strasburgu dhe ka treguar pasojat e drejtësisë nga Kacarska, që është se politika ishte faktori kryesor në proceset gjyqësore dhe se bëhej fjalë për përndjekje politike përtej çdo standardi. Ajo kohë ka mbaruar, VMRO-DPMNE në vazhdimësi përpiqet të sigurojë drejtësi në mënyrë të barabartë për të gjithë”, tha VMRO-DPMNE për Radion Evropa e Lirë.

Ndonëse për momentin nuk dihet se si do të “zgjidhet problemi” për të dënuarit e 27 prillit, një nga variantet që përmendet në qarqet e VMRO-DPMNE-së është dorëzimi i dëshmive të reja të cilët, siç arsyetohen në VMRO, gjatë kohës së gjykimit atëkohë, nuk janë marrë parasysh nga gjykata. Sipas avokatëve, janë tre opsione sesi të dënuarit për terrorizëm mund të dalin më herët nga burgu. Këto janë prova të reja të mundshme, iniciativë e prokurorisë së shtetit përmes mjetit juridik “mbrojtja e ligjshmërisë” apo falje nga kryetarja Siljanovska Davkova.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 29 Gusht, 2024 19:41