Regjistrimi i studentëve, interesim i lartë për drejtimet profesionale

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 29 Gusht, 2024 19:15

Regjistrimi i studentëve, interesim i lartë për drejtimet profesionale

Me dokumente në duar studentët e ardhshëm vërshojnë universitetet për regjistrim. Sot dyert i hapi universiteti Shën Kirili dhe Metodi, ndërsa regjistrimi në këtë afat do të zgjas deri nesër. Në universitetin më të vjetër në vend ka mbi 9 900 vende të lira, ndërsa numër më të madh të vendeve të lira ka në fakultetin matematiko natyror, fakultetin e shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë kompjuterike dhe në fakultetin filozofik. Rritje të interesit ka për regjistrim në fakultetin juridik, me përjashtim të drejtimit të gazetarisë, ku numri I të interesuarve është njëshifrorë.

“Në fakultetin juridik ‘Justiniani i parë’ këtë vit ka rritje të interesit në të gjitha llojet e studimeve, në programet studimore të parapara në fakultetin tonë… Gjithësej kemi 705 vende të lira për studentët e rinj në të gjitha programet studimore dhe procesi i regjistrimit po rrjedh pa asnjë problem… Mund të ju them konkretisht për fakultetin e drejtësisë, më së paku interesim ka për studimet për gazetari… Ne mundohemi me modernizim dhe inovacione të ndryshme që t’I mbajmë gjallë këto studime, por edhe këtë vit trendi nuk është në rënie por mban numër njëshifror të studentëve të interesuar për studimet në gazetari”, deklaroi Esin Kranli Bajram, Universiteti Shën Kirili dhe Metodi.

“Sot u regjistrova, po mendoj, i dorëzova dokumentet e mia dhe do të shohim…Në fakultetin ekonomik, shpresoj të më pranojnë”, u shpreh një student.

“Ja sot erdhëm për regjistrim, në fakultetin ekonomik. Gjithçka zhvillohej mirë, na kthyen pak për shkak të disa gabimeve, por mirë, shpresoj se do të jemi të gjithë të pranuar dhe do të kalojë gjithçka siç duhet”, tha një studente.

Ndërsa në universitetin Nëna Terezë, nesër mbyllet procesi i regjistrimit në afatin e parë. Deri tani ka 600 aplikantë dhe sipas rektorit të këtij universiteti ka rritje në interesimit pothuajse në të gjitha fakultetet. Interesim më të ulët ka për regjistrim në fakultetin Teknik dhe në fakultetin e ndërtimtarisë dhe arkitekturës.

“Nga data 26 ditën e hënë ka fillu procesi I regjistrimit, me pak ngecje për shkak të festës, të mërkurën. Mirëpo vazhdon, deri në ditën e premte do të pranojmë dokumente. Hasim në vështirësi të maturantëve të cilët nuk e kanë kaluar maturën shtetërore, mirëpo sido që të jetë, nga numri I aplikantëve jemi të kënaqur. Kemi dikund 600 aplikime deri në këto momente, kemi edhe ditën e nesërme. Kështu që në strukturë jemi të kënaqur nga aplikimet në të gjitha fakultetet por duhet të veçoj se përsëri edhe këtë vit aplikimi është më I madh në shkencat shoqërore, posaçërisht udhëheqje në shkencat sociale”, deklaroi Izet Zeqiri, Rektor në Universitetin Nëna Terezë.

“Po i shënoj të dhënat për t’u regjistruar në fakultetin Nënë Tereza”.

Në cilin drejtim dhe cilat janë pritjet?

“Në drejtimin psikologji dhe shpresoj që në të ardhmen do të kem shumë sukses”, u shpreh një studente.

Procesi i paraqitjes së studentëve po zhvillohet në të gjitha universitetet në vend. Më tej vijon publikimi i listës së studentëve të pranuar, dhe më pas regjistrimi I studentëve të pranuar. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 29 Gusht, 2024 19:15