Baush: Ulja e TVSH-së për oligarkët nuk është e dobishme për ekonominë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 2 Shtator, 2024 19:47

Baush: Ulja e TVSH-së për oligarkët nuk është e dobishme për ekonominë

Masën e zvogëlimit të TVSH-së nga 10 në 5 % për kompanitë të cilat arrijnë profit mbi 50 milionë euro në vit, analisti ekonomik Abil Baush, e ka komentuar si “jo fitim-prurëse” për ekonominë në përgjithësi. Ai vlerëson se në buxhetin shtetëror apo në ekonomi ndikim të madh nuk do të ketë, ndërsa ndërmarrjet do të kenë profit më të madh, por sa ato do të riinvestojnë në vendin tonë do të ngelet të shihet, potencoi Baush.

ABIL BAUSH, ANALIST EKONOMIK

 “Nga ajo të cilën e kam pa në këto analizat statistikore ose nëpër biltene të cilat dalin për kompanitë të cilat kanë profite më të mëdha, rezulton se disa  kompani, janë 5 kompani të cilat kalojnë profitin vjetor mbi 50 milion euro, kështu që ato kompani janë shtetërore, publike si kompania e rrugëve dhe kompanitë e tjera të cilat kryesisht merren me financa ose kompani të cilat janë në sektore të ndryshme të cilat nuk kanë ndonjë imapkt të madh, të themi nuk kanë ndonjë impakt të madh në rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vendin tonë”.

Ai thotë se në përgjithësi reformat ë tilla duhet të ketë por të njejtat duhet të jenë më rrënjësore.

ABIL BAUSH, ANALIST EKONOMIK

 “Është mirë e para se do të fillojnë të bëjnë reforma në sistemin e tatimeve dhe e dyta do të duheshte të bëheshte reforma, unë mendoj nga poshtë lartë, të filloheshte nga tatimi progresiv dhe këto kompani të cilat kanë profite të mëdha do të duheshte sipas mendimim tim të ngelet i njejtë tatimi i i fitimit për arsye se nuk do të mbushet buxheti shumë nga këto kompani por që do të duheshte ndryshe të bëhet tatimimi i kompanive të cilat janë të vogla kryesisht që vijnë nga sektori i IT-së dhe kompanive tjera të cilat janë inovative në vendin tonë dhe prej aty do të duheshte të niset njëfarë lloj vlerësimi ose një far lloj reforme e tatimit”.

“Në pjesën shqiptare do të duhet më shumë të investohet dhe do të duhet më shumë të kërkohen mundësi të ndryshme për të ngritur edhe pjesën infrastrukturore, institucionale dhe investuese në pjesët ku jetojnë popullata shqiptare që të kemi dhe ne kompani konkuruese në treg”, potencoi Baush.

Reagime të shumta lidhur me këtë masë ka pasur edhe nga opozita. Ish ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se VMRO DPMNE nëpërmjet VLEN-it  tentojnë të ulin tatimin për oligarkët.

KRESHNIK BEKTESHI, ISH MINISTËR I EKONOMISË

“Në vend që të ulin kontributet që është kërkesë e OEMVP, me çka kompanitë do rrisin pagën neto për punëtorët, VMRO nëpërmes VLEN tentojn të ulin tatimin për OLIGARKËT!”.

Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga e quajti si “korrupsion që do të legalizohet me ligj” pasi që sipas tij kështu do të shpërblehen oligarkët maqedonas për mbështetjen që i dhanë VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit.

KRENAR LLOGA, ISH MINISTËR I DREJTËSISË

“Ja si do të shpërblehen oligarkët maqedonas për mbështetjen që i dhanë VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e fundit, me premtimin se do ta rikthejnë shtetin për ta (DeAlbanizacija).Do të ulin tatimin në fitim nga 10% në 5% për kompanitë me fitim vjetor mbi 50 milionë euro, për të stimuluar biznesin, tha Ministri i Ekonomisë nga vLEN, që i shërben politikave të VMRO-së”.

Elmi Aziri nga ASH-ja e opozitares Fronti Europian tha se në shtetet demokratike sistemi tatimor funksionon mbi parimin kush fiton më shumë paguan më shumë, ndërsa tek ne propozohet e kundërta, kush fiton më shumë paguan më pak.

Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi para disa ditëve paralajmëroi se Qeveria do të ulët tatimet për kompanitë që fitojnë mbi 50 milionë euro në vit. Sipas tij, tatimi nga 10% do të ulet në 5%.

Vitin 2023, pesë kompani kanë pasur fitim prej 50 milionë eurove. Ato janë prodhuesi i katalizatorëve “Xhonson Meti” i zonës industriale Bunarxhik, tre bankat më të mëdha në vend – Banka Komerciale, Stopanska dhe NLB-Tutunska, si dhe Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore.

/SHENJA/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 2 Shtator, 2024 19:47