Kumanovë, filloi viti i ri shkollor, 110 nxënës më pak se vitin e kaluar
Sikurse në mbarë vendin edhe në rajonin e Kumanovës, në të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme ka filluar viti i ri shkollor. Këtë vit për herë të parë në bankat shkollore në klasë të parë janë regjistruar 970 nxënës që për 110 nxënës është më pak se vitin e kaluar, kur ishin të regjistruar 1.080 nxënës.
“Këtë vit në shkollat fillore të komunës së Kumanovës në klasën e parë janë regjistruar 970 nxënës, që për dallim nga viti i kaluar është për 110 nxënës më pak. Në këtë kontekst për shkak të mungesës së nxënësve shkolla periferike “Koço Racin” në fshatin Gabresh do të mbyllet, sepse nuk është regjistruar asnjë nxënës.”, – theksoi Aleksandar Jovanoviç, udhëheqës i sektorit për Arsim pran Komunës së Kumanovës.
Pothuajse të gjitha shkollat paraprakisht gjatë muajve të verës janë kryer aktivitete përgatitore për fillim sa më të mbarë të vitit të ri shkollor.
“Jemi përgatitur si në aspektin teknik po ashtu edhe atë mësimor, jemi gati për të filluar. Kemi bërë disa ndryshime të cilat sigurisht se janë në favor të nxënësve me çka besoj se do të kenë përparësi të ndryshme këtë herë. Duke e marrë parasysh pranimin e nxënësve në klasë të parë para disa muajve, numri i tyre është duke u rritur, kështu që edhe sot kemi regjistruar nxënës të rinj. Numri është i mjaftueshëm për 6 paralele të cilat i posedojmë me mbi 100 nxënës, kurse në tërësi këtë vit shkollor i kemi mbi 1.100 nxënës të shpërndarë në 53 paralele.”, – theksoi drejtoresha e ShFK “Bajram Shabani” – Kumanovë, Bergjyle Saliji.
Edhe në komunën e Likovës në të gjitha shkollat ka filluar viti i ri shkollor ku gjithashtu gjatë muajve të verës me sukses janë kryer përgatitjet.