Kampusi i ri i UNT-së, Zeqiri: Presim lejen për ndërtim

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Shtator, 2024 19:38

Kampusi i ri i UNT-së, Zeqiri: Presim lejen për ndërtim

Autoritetet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup janë në pritje të marrjes së lejes nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për të filluar procedurën për ndërtimin e kampusit të ri universitar. Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri, për TVM2, thotë se projekti në fjalë është tërësisht i gatshëm dhe detajisht i përpiluar. Parashihet të ndërtohen rreth 60 mijë metra katror, të mjaftueshëm për t’u sistemuar 8 fakultete, rektorati, biblioteka universitare, pishina, amfiteatro dhe salla sportive.

“Jemi në fazën e marrjes së lejes nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe shpresojmë se këto 20 ditët e ardhshme të marrim lejen me disa korrigjime dhe plotësime që janë bërë. Projekti është i madh, pasi që kap dikur rreth 60 mijë metra katror, andaj ne kemi kërkuar nga Qeveria që t’i japë leje ndërtimi këtij universiteti, të sjellë edhe një vendim për furnizim publik disavjeçar meqenëse shuma e parave është shumë e madhe dhe gjithashtu kemi kërkuar që Qeveria të ngarkojë Ministrinë e Financave që të ndajë buxhet për ndërtimin e këtij objekti dhe për dhënien e lejes për këtë objekt.”, – deklaroi rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.

Ndërtimi i kampusit të ri të UNT-së planifikohet të ndërtohet në tre faza. Faza e parë përfshin ndërtimin e 60% të objektit të përgjithshëm, respektivisht rreth 32 mijë metra katror, parashikohen të ndërtohen për katër vitet e ardhshme me paratë që Qeveria një ditë më herët i ndau në vlerë prej 34.5 milionë euro, tha Zeqiri.

“Projekti është shumë i madh, ndërsa ne fillojmë me fazën e parë diku me ndërtimin e afër 60% të hapësirës së objektit dhe këtë gjë ne planifikojmë të realizojmë për katër vite. Ne shpresojmë se për katër vitet e ardhshme, nëse nuk paraqiten pengesa dhe nëse do të kemi para të mjaftueshme të realizojmë këtë projekt.”, – theksoi rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.

Studentët e vlerësojnë pozitivisht një investim të tillë.

“Mendoj se kemi nevojë për investim në këtë universitet dhe mendoj se është investim i duhur dhe i qëlluar, pasi që do të përmirësohen kushtet për ne dhe i gjithë sistemi universitar.”, – tha një student.

“Është investim i mirë pasi që investohet në dije te studentet, për të pasur një ardhmëri sa më të mirë dhe për t’ia ngrit reputacionin universitetit. Kemi nevojë për këtë gjë, secili institucion ka nevojë për avancim.”, – tha një student tjetër.

Universiteti “Nënë Tereza” para 1 viti është vendosur në hapësirat e ish-kazermës “Ilinden”, ndërsa u themelua në vitin 2016. Tani kampusi i ri universitar parashikon të sistemojë rreth 6 mijë studentë dhe i njëjti do të ndërtohet sipas standardeve bashkëkohore.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 4 Shtator, 2024 19:38